Bashkëjetesa mes ukrainasit Zabarnyi dhe rusit Safonov në PSG

  • A.P /
  • 13 August 2025 - 15:15
Bashkëjetesa mes ukrainasit Zabarnyi dhe rusit Safonov në PSG

Transferimi i mbrojtësit Ilia Zabarnyi në Paris Saint-Germain mund të krijojë probleme dhe tensione në dhomat e zhveshjes së klubit francez, duke e pasur parasysh bashkëjetesën “e vështirë” midis ukrainasit, i cili mbërriti së fundmi nga Bournemouth, dhe portierit rus, Matvey Safonov, i cili është tashmë në skuadrën parisienë, shkaku i konfliktit më shumë se trevjeçar midis dy vendeve.

Siç raporton portali “Footmercato”, një analizë e kujdesshme e rrjeteve sociale të Zabarnyi nga mediumi ukrainas “Tribuna” zbulon se mbrojtësi ka vendosur t’i ndjekë të gjithë shokët e tij të rinj të ekipit me përjashtim të Safonov, përcjell “Gazeta Express”.

Zabarnyi, në fund të fundit, gjithmonë e ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për Ukrainën, kështu që zgjedhja e lojtarit të lindur në vitin 2002 do të kishte kuptim të plotë.

Ndërkohë, megjithatë, gruaja e lojtarit, siç e kanë vënë re shumë përdorues rusë të internetit, me sa duket i ka fshirë të gjitha postimet e saj në rrjetet sociale përmes së cilave i fyente rusët.

“Është për të ardhur keq që nuk mund të fshihen nga planeti përgjithmonë”, është njëri prej shembujve të cituar.

Është e paqartë nëse kjo ishte një iniciativë personale, e burrit të saj, apo një kërkesë nga vetë PSG-ja për të siguruar që dy lojtarët të bashkëjetojnë sa më paqësisht të jetë e mundur.

Vlen të kujtojmë se Safonov është përmendur vazhdimisht midis lojtarëve që mund të largohen nga klubi këtë verë, megjithëse largimi tashmë i sigurt i Donnarummas mund t’i ndryshojë planet e klubit francez.


(Kosova Sot Online)