
Xhaka zbulon pse vendosi të largohet nga Leverkusen

Granit Xhaka ka sqaruar se largimi i tij nga Bayer Leverkusen nuk lidhet aspak me trajnerin Erik Ten Hag, por ishte një vendim i motivuar nga ambicia për të ndërtuar një karrierë si trajner.
Pas emërimit të Ten Hag te Bayer Leverkusen, trajneri holandez tentoi ta bindte mesfushorin shqiptar të qëndronte në klub, dhe fillimisht Xhaka kishte vendosur të vazhdonte. Megjithatë, gjithçka ndryshoi pas ofertës së Sunderland.
Xhaka theksoi se pati “biseda të qarta dhe të drejta” me Ten Hag dhe nuk kupton pse disa po e fajësojnë trajnerin për largimin e tij.
Duke folur për arsyet që e çuan drejt Sunderland, mesfushori 32-vjeçar theksoi se historia e klubit dhe periudhat e vështira që ka kaluar e kanë prekur personalisht.
Pavarësisht mosmarrëveshjeve fillestare, ai vendosi të bashkohej me klubin anglez pasi ndjeu se ambienti atje i ofron mundësinë ideale për të ndërtuar rrugën drejt një karriere si trajner.
“Më shqetëson fakti që Erik po portretizohet si problemi. Ai nuk ishte kurrë problemi, kurrë. Më mori në telefon pas tre apo katër javësh sepse nuk donte të më shqetësonte gjatë pushimeve”, tha Xhaka.
“Pata një bisedë shumë të mirë me të. Ai e dinte që po shqyrtoja një ofertë interesante. Ndoshta e ndjeu që mund të më humbiste. Por komunikimi ynë ishte gjithmonë i drejtë dhe i sinqertë. Do të kisha luajtur si kapiten nën drejtimin e tij”.
Xhaka shtoi se eksperienca në Sunderland do të jetë e vlefshme për të ardhmen e tij si trajner. “Besoj se kjo eksperiencë këtu do të jetë më e vlefshmja për të ardhmen time. Pse? Sepse dua të ndjek një karrierë si trajner. Prandaj është e rëndësishme të përjetosh momente vuajtjeje dhe solidariteti”, vazhdoi ai.
“Do të na duhet të vuajmë shumë muajt në vijim. Kjo është një anë tjetër e futbollit, por gjithashtu është pjesë e tij dhe do të më formësojë. Për më tepër, Sunderland bëri gjithçka, absolutisht gjithçka, për të më rikthyer në Angli”.
“Kur një klub të jep ndjenja të tilla, është pothuajse e pasjellshme të mos e marrësh në konsideratë. U preka thellësisht nga njerëzit që ishin në krye. Nuk mund të thoja jo”, përfundoi Xhaka.
(Kosova Sot Online)