
Allegri: Duhet gjithmonë të synosh objektivat më të larta

Massimiliano Allegri, trajneri i Milanit, ishte i pranishëm në konferencën për shtyp para ndeshjes Milan-Cremonese, sfidë e vlefshme për javën e parë të Serie A.
Na bëni një përmbledhje të përgatijeve të verës…
Nesër fillojmë sezonin e ri, është një ndeshje e rëndësishme dhe ka shumë kuriozitet edhe nga ana ime, sepse kthehem në stol pas një viti. Tifozët janë të rëndësishëm, jemi të kënaqur për mbështetjen e marrë ndaj Barit. Të gjithë së bashku nisim një rrugëtim që duhet të na çojë në mars në një pozicion optimal në renditje. Për mendimin tim, në mars vendoset sezoni, ndaj duhet të arrijmë në gjendjen më të mirë atje. Jam shumë i kënaqur me grupin, si nga ana teknike, ashtu edhe psikologjike. Grupi po bëhet skuadër. Nesër parashikoj ndeshje të komplikuar, të vështirë. Ndeshjet e para të kampionatit janë gjithmonë më të vështirat, sepse forma nuk është optimale dhe merkatoja është ende e hapur. Duhet të jemi të përqendruar. Skuadrat e Nicola janë gjithmonë të vështira, t’i ngushtojnë hapësirat, ndaj do të na duhet durim.
A jeni më shumë i habitur apo i shqetësuar nga kjo verë?
Duhet gjithmonë të synosh objektivat më të larta, sepse vetëm përmes motivimit rritet puna. Kampionati është një udhëtim, duhet të ecësh gjithmonë me të njëjtën shpejtësi. Do të ketë momente të bukura, shpresoj shumë, edhe momente të vështira, që duhet të menaxhohen. Ekuilibri duhet të mbizotërojë brenda Milanit. Qëllimi është të rikthehemi në Champions, pa vendosur limite.
Si duhet të jetë Milani?
Duhet të jetë skuadër e bashkuar dhe ekuilibruar. Duhet respekt për të gjithë kundërshtarët, suksesi arrihet në fushë. Nuk kam udhëzime të veçanta, por gjëra normale të futbollit: kur ke topin duhet të shënosh gola, kur nuk e ke duhet të dish të mbrosh. Diferenca e golave është ajo që ka rëndësi.
Cilët sheh favoritë për titullin?
Janë tetë skuadra që mund të spikasin. Zakonisht favoriti është ai që ka fituar kampionatin e kaluar, pastaj Interi, Roma, Fiorentina, Juventusi, Lazio. Jemi edhe ne. Duhet të jemi shumë të aftë në punën e përditshme, duke ruajtur ekuilibrin. Pastaj nuk është çështje e mbrojtjes me tre apo katër, por e karakteristikave të lojtarëve. Pra, mund të luash në mënyra të ndryshme.
Si e sheh situatën e blerjeve?
Klubi ka bërë një punë të mirë në merkato, si në hyrje, ashtu edhe në dalje. Kanë ardhur lojtarë të rinj, me perspektivë të madhe dhe cilësi. Kemi një përbashkësi të qëllimeve për skuadrën. Klubi është i vëmendshëm dhe vigjilent. Mungojnë ende dhjetë ditë nga mbyllja e merkatos, por më e rëndësishmja sot është ndeshja hapëse e kampionatit. Jam shumë i kënaqur me të gjithë djemtë që kam në dispozicion.
Si është të stërvitesh Luka Modric?
Të flasësh teknikisht për Modric nuk ka nevojë. Karriera e tij tregon gjithçka. Është një djalë shumë i përulur. Nuk mund të ketë fizikun e 10 viteve më parë, por së bashku do ta menaxhojmë sa më mirë. Është shumë mirë nga ana fizike.
A mund të bëjë Milani si Napoli sezonin e kaluar?
Nuk është se ekziston Allegri dhe Milani fiton automatikisht. Duhet të punojmë së bashku. Kam mësuar një gjë: në klubet e mëdha nuk ka rëndësi trajneri, por klubi. Ka rëndësi historia e klubit, që duhet respektuar në çdo aspekt. Duhet të ndjesh përgjegjësinë. Duhet të punohet për të mos gabuar, kjo rrit vëmendjen dhe tensionin. Milani, që është mbi gjithçka dhe mbi të gjithë, duhet të kthehet në Champions vitin e ardhshëm.
(Kosova Sot Online)