
Dalin probleme të reja me lëndim për Gavin

Pas një viti larg fushave të lojës, si shërbimet mjekësore ashtu edhe stafi i ekipit të parë e kishin të qartë se situata e Gavit duhej monitoruar shpesh. Duhej ndjekur nga afër se si po evoluonte gjuri i një djali mbi të cilin janë vendosur shumë shpresa për të tashmen dhe të ardhmen.
Në këtë kuptim, shqetësimet që ndjeu pak më shumë se një javë më parë e detyruan lojtarin e rritur te Barça të braktiste stërvitjen dhe të bënte disa ditë pushim për ta ndjekur rastin e tij. Gavi kishte zhvilluar një përgatitje shumë të mirë para-sezonale, me ndjesi pozitive pas një gjysmësezoni të dytë shumë interesant në kampionatin e kaluar. Hapi i tij ishte i kujdesshëm: pak e nga pak me më shumë ngarkesë dhe prezencë, por pa rreziqe apo nxitim.
Flick u referua rastit të tij në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Rayo, në të cilën lojtari nga Los Palacios mungoi: “Plani është që të jetë gati për Valencian. Do të shohim si do të evoluojë. Sot është më mirë se dje. Jemi pozitivë.”
Megjithatë, sipas asaj që raportoi këtë të premte RAC1, andaluziani, i cili po punon çdo ditë në Ciutat Esportiva Joan Gamper gjatë këtij pushimi ndërkombëtar, ende nuk ndihet krejtësisht mirë me atë gju.
Dhimbja duket se vazhdon dhe gjithçka tregon se ai do të humbasë ndeshjen kundër Valencias më 14 shtator. Ndeshja e parë zyrtare në shtëpi për Barçën, ende me dilema nëse do të zhvillohet në Spotify Camp Nou apo në Johan Cruyff.
“Ka disa shqetësime në gjurin e djathtë. Është jashtë për ndeshjen kundër Rayo-s dhe evolucioni i tij do të përcaktojë disponueshmërinë,” thuhej në komunikatën zyrtare të Barçës.
(Kosova Sot Online)