
Shehu dhe Daku: Ndeshja e radhës shumë e rëndësishme

Juljan Shehu dhe Mirlind Daku dolën sot në konferencën për media nga stadiumi “Air Albania”, në prag të sfidës Shqipëri – Letoni.
Futbollistët kuqezi folën për objektivat e këtij takimi, ndërsa komentuan gjithashtu fitoren 0-1 në miqësoren e fundit ndaj Gjilbraltarit.
Juljan Shehu theksoi se ndeshja e radhës ndaj Letonisë është shumë e rëndësishme dhe objektivi kryesor është të marrim tre pikët.
Ndeshja me Gjilbraltarin – Objektivi për ndeshjen me Gjilbraltarin ishte që të provoheshin lojtarët e rinj, disa mënyra loje. Besoj se zhvilluam një ndeshje të mirë. Lojtarëve që iu dha mundësia të luanin, besoj se luajtën mirë dhe treguan vlerat e tyre si futbollistë të ekipit kombëtar. Ishte ndeshje pozitive.
Gjendja e skuadrës për ndeshjen e ardhshme – Ndeshja e ardhshme është më e rëndësishmja. Gjendja në skuadër është shumë e mirë, kemi entuziazëm dhe duhet ta fitojmë këtë ndeshje. Ky është edhe objektivi kryesor, që të marrim tre pikët.
Kritikat për ndeshjet e fundit dhe ndryshimet që duhet të bëjë skuadra në lojë – Besoj se nuk kemi zhvilluar ndeshje të këqija, por më e rëndësishmja është që të kemi rezultate, për të cilat ne luajmë 90 minuta. Besoj se në këto ndeshje, bashkë me lojën e mirë të kemi dhe rezultate. Ndaj Letonisë, duam të marrim tre pikët dhe gjithçka është më e lehtë pastaj.
Çfarë keni përgatitur për të korrigjuar gabimet e ndeshjes së kaluar me Letoninë – Nuk besoj se është çështje përqëndrimi. Çdo ekip, qoftë Letonia, qofshin ekipe të tjera që në letër janë më të dobëta se ne, edhe ato luajnë futboll dhe nuk është e lehtë të fitosh kundër tyre. Sidomos në fushat e tyre. Në këtë ndeshje do të bëjmë akoma më shumë për të marrë tre pikët.
Çfarë të ka penguar që nuk shënon te kombëtarja si te klubi? – Klubi nuk është njëlloj me kombëtaren. Tek ekipi, pozicioni im natyral është mesfushor difensiv. Por që në varësi të taktikave të trajnereve, ndonjëherë edhe lojtarët ndërrojnë pozicionet. Kjo nuk është e përcaktuar gjithmonë. Ka trajnerë që më kërkojnë të luaj pak më përpara, ka trajnerë që më kërkojnë të luaj pak më mbrapa. Te kombëtarja, trajneri ka vendosur që unë të luaj si mesfushor difensiv dhe unë duhet të bëj më të mirën në ate pozicion dhe në detyrat që më jep trajneri.
(Kosova Sot Online)