Ylli i ri i Interit shpjegon pse u largua nga City

  • A.P /
  • 06 September 2025 - 17:13
Ylli i ri i Interit shpjegon pse u largua nga City

Ka qenë një javë intensive për mbrojtësin zviceran Manuel Akanji.

Të hënën, 30-vjeçari kompletoi kalimin e tij në ditën e fundit të merkatos nga Manchester City te Interi në Serie A, fillimisht në formë huazimi me opsion blerjeje prej 15 milionë eurosh, i cili mund të kthehet në detyrim nëse zikaltërit e mbyllin sezonin me titullin e Scudetto-s.

Mbrëmë, mbrojtësi realizoi një gol me kombëtaren e Zvicrës në fitoren bindëse 4-0 ndaj Kosovës.

Duke folur gjatë grumbullimit me kombëtaren, me deklarata të transmetuara nga The Mirror, Akanji zbuloi se vendimi për t’u larguar nga Manchesteri erdhi pasi trajneri Pep Guardiola “na e bëri të qartë gjashtë qendërmbrojtësve se dy do të luanin dhe dy do të ishin në stol.”

Akanji pranoi: “Nuk ishte e këndshme ta dëgjoja këtë, sepse gjithmonë pres të jem në fushë.”

Megjithatë, mbrojtësi zviceran duket i vendosur të hapë një kapitull të ri në Lombardi, duke thënë se: “Jam shumë i lumtur që gjithçka funksionoi. Më pëlqen shumë Interi.”

Ai nuk e mbylli derën për një rikthim të mundshëm te City, edhe pse kjo duket e vështirë nëse huazimi shkon mirë, duke pasur parasysh opsionin e ulët të blerjes. “E vërteta është: jam në huazim te Interi, kështu që teorikisht një rikthim në Manchester është i mundur. Për fat të keq, nuk kam pasur mundësi të përshëndetem ende me Cityn, por patjetër dua ta bëj këtë me një darkë të përbashkët me ekipin, gjë që nuk është e lehtë për t’u organizuar. Është e rëndësishme për mua të përshëndetem dhe të filloj sërish.”

Akanji ishte afrimi më i madh në moshë i Interit këtë verë dhe përfaqëson një përforcim të nevojshëm me eksperiencë dhe cilësi për prapavijën zikaltër.

(Kosova Sot Online)