Djokovic gjen 'strehim politik' në Greqi

  • A.P /
  • 11 September 2025 - 12:06
Djokovic gjen 'strehim politik' në Greqi

Novak Djokovic dikur ishte përkrahës i madh i presidentit Aleksander Vuçiç.

Mirëpo, në vitet e fundit tenisti serb ia ka kthyer shpinën kreut të shtetit duke u rreshtuar kah protestuesit, të cilët po e kërkojnë rrëzimin e tij.

E kjo ftohje raportesh ka bërë që fituesi i shumëfishtë i Grand Slam ta mendojë jetën jashtë Serbisë.

Në fakt, Djokovic thuhet se i ka regjistruar fëmijët në një shkollë private britanike në Athinë, derisa familja e tij duket se do ta nisë një jetë të re në Greqi.

Sipas “Tennis24”, ai i ka regjistruar të birin (11 vjeç), Stefan dhe të bijën, Tara (8 vjeçe) në “Saint Lawrenca College” në Athinë, ndërsa e ka blerë edhe një shtëpi në jug të kryeqytetit grek.

Ky vendim duket se vjen pasi Qeveria serbe e ka shënjestruar tenistin më të suksesshëm në histori për shkak të mbështetjes së tij ndaj protestave studentore.

Fituesi i 24 Grand Slam qe një kohë konsiderohet si hero kombëtar, por ai së fundmi është bërë cak i goditjes nga ana e mediave të afërta me presidentin Vuçiç.

Djokovic publikoi mesazhe solidariteti ndaj studentëve protestues, derisa gjithçka nisi pas tragjedisë që ndodhi në Novi Sad, ku e humbën jetën dhjetëra qytetarë serbë.

“Studentët janë kampionë”, shkruante në bluzën e Djokovicit, që i mbështeste iniciatorët e protestave, që tashmë janë bërë masive.

Mediat e afërta me pushtetin kanë bërë reagime të ashpra, ndërsa Djokovicin e konsiderojnë si “patriot i rremë”. 

(Kosova Sot Online)