
Man Utd do të ndërmarrë veprim të paprecedentë

United nuk arriti të kualifikohej në Evropë pas një sezoni zhgënjyes.
Manchester United mund të zhvillojë miqësore gjatë sezonit për të “mbushur boshllëkun financiar” që u krijua nga mungesa e kualifikimit në Evropë, me katër klube europiane të përmendura si kundërshtarë të mundshëm.
Ishte një sezon për t’u harruar për “Djajtë e Kuq”, të cilët humbën rreth 80–100 milionë £ në të ardhura nga shpërblimet e Ligës së Kampionëve, sipas bashkëpronarëve të klubit, mes tyre Sir Jim Ratcliffe.
Humbja ndaj Tottenhamit në finalen e Ligës së Europës shoi shpresat e tyre për të siguruar një vend në elitën e futbollit evropian.
Dhe pasi përfunduan në vendin e 15-të në Premier League – renditja e tyre më e dobët që prej sezonit 1989–90 – ata, në mënyrë të qartë, nuk arritën të sigurojnë as pjesëmarrjen në Ligën e Europës, e cila sipas Ratcliffe vlente rreth 40 milionë £.
“Një sezon i mirë në Ligën e Kampionëve mund të vlejë shumë më tepër se 100 milionë £,” tha eksperti i financave të futbollit, Kieran Maguire, për BBC Sport. “Kur i kombinon të ardhurat nga biletat, bonuset e sponsorëve dhe shpërblimet nga UEFA, shifrat janë marramendëse.”
Si rezultat i dështimit për t’u kualifikuar në Evropë, United ka shumë kohë për përgatitje në stërvitje. Në fakt, skuadra e Ruben Amorim do të zhvillojë vetëm një ndeshje në mesjavë para Krishtlindjes, një përballje në shtëpi kundër West Ham më 3 dhjetor.
Gjithashtu, duket se United do të ketë tetë ditë pushim mes ndeshjeve të Premier League, jashtë tre pushimeve ndërkombëtare të vjeshtës.
(Kosova Sot Online)