
'Ronaldo më telefonoi që t’i bashkohesha te Juventusi'

Ish-ylli i Barcelonës, Ivan Rakitić, ka pranuar se Cristiano Ronaldo e kishte telefonuar në vitin 2019 për ta bindur që t’i bashkohej Juventusit: “Do të kisha dashur të luaja në Itali,” tha ai.
Rakitic e tregoi këtë histori për “Gazzetta dello Sport”:
“Është e vërtetë që në vitin 2019 Cristiano Ronaldo më telefonoi dhe më tha: ‘Eja bashkohu me ne te Juventusi’. Për të qenë i sinqertë, do të më kishte pëlqyer shumë të luaja në Itali. Është një nga pengjet e karrierës sime,” rrëfeu kroati.
37-vjeçari zhvilloi 310 ndeshje me Barcelonën, duke shënuar 35 gola, përfshirë një kundër Juventusit në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2015.
Rakitic nuk arriti kurrë të luajë në Serie A, pasi pjesën më të madhe të karrierës e kaloi në La Liga spanjolle dhe në Bundesligën gjermane.
“Kam admirim të madh për futbollin italian dhe mënyrën tuaj të jetesës, dhe jam gjithashtu fansi numër një i Gattusos, i cili më stërviti vitin e kaluar te Hajduku. Keni një trajner të madh te kombëtarja, dhe ai do t’ju çojë aty ku të gjithë dëshironi të shkoni,” shtoi ai.
Rakitic është gjithashtu finalist i Botërorit me Kroacinë dhe fitues i çmimit “Futbollisti Kroat i Vitit” në 2015. Por pse nuk u realizua kalimi i tij te Juventusi? A ishte tarifa e transferimit shumë e lartë?
“Pjesërisht për këtë arsye dhe pjesërisht sepse isha ende te Barcelona,” shpjegoi ai.
“Kam qenë një njeri me fat. Luajta për Barcelonën, pastaj u ktheva te Sevilla dhe më pas te Hajduku. Do të kishte qenë magjepsëse, por edhe kështu ka qenë e bukur.”
Cristiano Ronaldo iu bashkua Juventusit nga Real Madridi në verën e vitit 2018, kur trajner i tij ishte Maurizio Sarri.
Portugezi kaloi tre vite në Allianz Stadium, duke shënuar 101 gola në 134 paraqitje në të gjitha garat dhe duke fituar dy tituj të Serie A-së.
(Kosova Sot Online)