Bellinghami i kërkoi vetë Tuchelit që mos ta ftonte tek Anglia

  • A.P /
  • 04 October 2025 - 17:18
Bellinghami i kërkoi vetë Tuchelit që mos ta ftonte tek Anglia

Të premten u konfirmua se mesfushori i Real Madrid, Jude Bellingham, nuk është përfshirë në listën e Anglisë për ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare kundër Uellsit dhe Letonisë.

22-vjeçari pritej gjerësisht të ishte pjesë e skuadrës, pasi ishte rikthyer më herët se sa ishte parashikuar nga një operacion në shpatull, por në vend të kësaj ai nuk do të kthehet në shtëpi.

Bellingham pritej të mungonte deri në fund të këtij muaji pas operacionit që iu bë në gusht, por ai u rikthye në fushë disa javë më parë gjatë ndeshjes së Real Madrid kundër Espanyolit.

Ai ishte titullar edhe në derbin e Madridit fundjavën e kaluar, por gjatë ndeshjes në “RiyadhAir Metropolitano” u vu re qartë se ende nuk është në formën e tij më të mirë fizike.

Pikërisht për këtë arsye, sipas “Marca”, Bellingham vetë kërkoi të mos përfshihej në listën e Thomas Tuchel.

Ish-trajneri i Chelseat dhe Bayern Munich kishte planifikuar të llogariste te ylli i Real Madrid, por pas bisedimeve mes tyre u vendos që ai të qëndronte në kryeqytetin spanjoll.

Bellingham ka pranuar se ende nuk është 100% gati, ndaj dëshiron të shfrytëzojë këto dy javë për t’u rikthyer në formën më të mirë të mundshme.

Në kampin e Anglisë e kanë mirëkuptuar këtë vendim dhe i kanë dhënë “dritën jeshile”, duke qenë të vetëdijshëm se lojtari i Real Madrid ka kaluar një periudhë të vështirë dhe se ta detyrosh të luajë për kombëtaren në këtë fazë të sezonit do të ishte “kundërproduktive”.

Kjo do të thotë se Bellingham do të qëndrojë me Real Madrid gjatë pushimit ndërkombëtar, i cili do të nisë për lojtarët e Los Blancos pas ndeshjes së së shtunës kundër Villarreal. Sipas raportit, plani është që mesfushori të zhvillojë një “mini-parasezon” gjatë javës së ardhshme, duke ndjekur një program specifik stërvitor në Valdebebas, të përgatitur nga stafi teknik i Xabi Alonsos.

(Kosova Sot Online)