
Foda tregon se përse s’i ftoi Celinën dhe Sahitin

Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda e ka mbajtur sot një konferencë për shtyp në prag të dy ndeshjeve të tetorit, kundër Sllovenisë këtë të premte dhe më pas ndaj Suedisë të hënën që vjen.
Ai u pyet për mungesën e ftesës së Bersant Celinës dhe Emir Sahitit, të cilët munguan edhe në grumbullimin e shtatorit, kur Foda s’donte të jepte shumë detaje.
Por, kësaj radhe ai foli më në detaje për këta dy lojtarë.
“Me Celinën e kam pasur një bisedë shumë të këndshme. Celina është i gatshëm të rikthehet dhe ta përfaqësojë Kosovën. I kam thënë se nëse do të vazhdojë të ketë paraqitje të mirë, ka mundësi të ftohet në ekip. Për momentin e kemi një ekip të mirë dhe i gatshëm për ndeshjet e radhës”, deklaroi fillimisht Foda.
“Kurse tek Emir Sahiti gjendja është paksa më ndryshe. Unë e kam lexuar prononcimin e tij për media dhe çka është për mua më e rëndësishmja, unë nuk e pranoj kur një lojtar flet indirekt keq për lojtarët tjerë. Kjo për mua është e papranueshme, secili lojtar mund t’i ketë pakënaqësitë e tij se a luan apo jo, por të shohim në të ardhmen. Më duhet ta potencoj se nuk e kam asnjë problem personal me asnjë trajner, por që lojtarët duhet t’i pranojnë zgjedhjet e trajnerit. I kemi afërsisht 40 lojtarë dhe të gjithë ata që i pranojnë vendimet e trajnerit, do t’i ftoj përzemërsisht”, përfundoi Foda.
(Kosova Sot Online)