
Atletico ia ka vënë syrin yllit të Barcelonës

Barcelona ka filluar të mendojë për merkaton e verës së ardhshme, si në aspektin e afrimeve ashtu edhe të largimeve. Plani i klubit është të transferojë një sulmues të ri, pasi thuajse është e sigurt që Robert Lewandowski do të largohet kur t’i përfundojë kontrata në qershor.
Lewandowski, i cili këtë javë është përfshirë në disa mosmarrëveshje me drejtuesit e Barcelonës, ka qenë një lojtar i rëndësishëm për katalanasit që nga transferimi i tij nga Bayern Munich në vitin 2022, por në moshën 37-vjeçare, ai po i afrohet fundit të qëndrimit të tij në “Camp Nou”. Hansi Flick tashmë ka filluar ta lërë jashtë formacionit titullar, duke i dhënë më shumë përparësi Ferran Torres-it.
Në muajt e fundit, sulmuesi polak është lidhur me disa klube, veçanërisht nga Arabia Saudite. Megjithatë, ai mund të qëndrojë në La Liga, pasi sipas raportimeve nga Polonia (nëpërmjet “Sport”), Atletico Madrid është e interesuar ta nënshkruajë atë si lojtar të lirë.
Atletico ka marrë disa lojtarë nga Barcelona vitet e fundit dhe ka histori me afrimin e sulmuesve veteranë nga klubi katalanas – më i famshmi Luis Suarez, i cili i ndihmoi “Los Colchoneros” të fitonin La Ligën në vitin 2021.
Edhe pse ka pasur interes serioz nga Arabia Saudite dhe MLS, Lewandowski raportohet se dëshiron të vazhdojë karrierën e tij në Europë. Prioriteti i tij mbetet të qëndrojë te Barcelona, por nëse nuk i ofrohet rinovimi, ai do të detyrohet të kërkojë një klub të ri pak para se të mbushë 38 vjeç në gusht.
Atletico mund të vendosë të shfrytëzojë këtë mundësi, pasi pritet të jetë në kërkim të një sulmuesi të ri në vitin 2026. Alexander Sorloth është lidhur shpesh me një largim, dhe Lewandowski mund të shihet si zëvendësuesi ideal – një sulmues me përvojë dhe efikasitet të lartë për të përforcuar repartin ofensiv.
(Kosova Sot Online)