Barcelona me 159 milionë euro borxhe për transfere

  • A.P /
  • 20 October 2025 - 15:15
Barcelona me 159 milionë euro borxhe për transfere

Situata ekonomike e Barcelonës vazhdon të jetë e komplikuar.

Përkundër shitjes së aseteve, të aktivizuara në vitet e fundit nga presidenti Joan Laporta, “Blagrana” mbesin nën presion dhe “fair-play” financiar i La Ligas është i pamëshirshëm.

Sezonin e kaluar katalunasit e mbyllën me një humbje neto prej 17 milionë eurosh, siç e zbuloi kryesia e klubit gjatë një takimi të aksionarëve të dielën që shkoi, shkruajnë mediat spanjolle.

Gjatë asamblesë, ndër të tjera u bënë të ditura edhe borxhet që kampioni spanjoll ua ka klubeve të tjera evropiane, të grumbulluara nga transferimet e viteve të fundit, që parashihet të paguhen me rata, praktikë kjo në rritje në “tregun” evropian të futbollit.

Prej tyre, Barcelona ia ka borxh ende edhe 13 milionë euro Manchester Cityt për Ferran Torresin dhe 10 milionë euro Bayern Munichut për Robert Lewandowskit, ky i fundit qendër e tensioneve të brendshme në klub.

Transferimi i Dani Olmos do të peshojë edhe më shumë: 19 milionë duhet t’i paguhen Leipzigut së shpejti dhe 15 të tjerë në një periudhë më afatgjate.

17 milionë të tjerë duhet t’i paguhen ekipit Paranaense për Vitor Roque.

Në total, pagesat që duhet të kompletohen e kapin shifrën e 159 milionë eurove.

Gjithashtu, Barcelona duhet t’ia paguajë Sevillës 24,5 mlionë euro për Jules Kounde, kurse nga ky transferim do të përfitojnë edhe klubet franceze ku ka luajtur ai paraprakisht, Girondins de Bordeaux me 359 mijë euro dhe La Brede FC 80 mijë euro.

Nga transferimi i Raphinhas, Barça ia ka borxh Leedsit edhe 42 milionë euro, ndërsa Rennes do t’i përfitojë edhe 32 mijë euro.

Kështu, presidenti Laporta duhet të vazhdojë të kërkojë zgjidhje për ta menaxhuar bilancin dhe për të dalë nga kjo situatë. 

(Kosova Sot Online)