De Jong në pikëpyetje për 'El Clasico'

  • A.P /
  • 24 October 2025 - 09:31
De Jong në pikëpyetje për 'El Clasico'

Barcelona tashmë po përballet me disa lëndime para ndeshjes vendimtare “El Clasico” kundër Real Madridit të dielën. Megjithatë, shqetësimet janë shtuar të enjten, pasi u shfaq një dyshim i ri, mungesa e Frenkie de Jong.

Mesfushori holandez nuk ka ndonjë lëndim, por sipas gazetës Sport, ai nuk mori pjesë në stërvitje pasi nuk ishte ndjerë mirë, duke vuajtur nga një problem në zorrë. De Jong është pjesë kyçe e formacionit të Hansi Flick, dhe në mungesë të Marc-André ter Stegen, ai ka mbajtur shiritin e kapitenit për pjesën më të madhe të periudhës së gjermanit në krye të ekipit. Nuk është dhënë një afat i saktë për rikuperimin e tij.

Arsyeja pse Barcelona mund të jetë më e shqetësuar për gjendjen e De Jong është precedenti i Andreas Christensen. Mbrojtësi danez mungoi në ndeshjen kundër Olympiakosit të martën për shkak të gastroenteritit dhe mungoi sërish në stërvitje të enjten. Nëse De Jong detyrohet të qëndrojë jashtë për një kohë të ngjashme, ai do ta humbë “El Clásico”-n.

Lajmi pozitiv për “blaugranat” është se Raphinha dhe Ferran Torres u stërvitën me intensitet të plotë pa asnjë problem. Ferran ishte kthyer në skuadër të martën pas fitores 2-1 ndaj Gironës, ndërsa Raphinha stërvitet për herë të parë që nga para pushimit ndërkombëtar, kur u lëndua ndaj Real Oviedo-s. Të dy pritet të jenë gati për ndeshjen e së dielës

(Kosova Sot Online)