Yamal e ndez 'El Clasicon'
Barcelona udhëton të dielën pasdite drejt kryeqytetit spanjoll për t’u përballur me Real Madridin në El Clásicon e parë të sezonit, me shumë në lojë për të dyja skuadrat pas një fillimi jo bindës të sezonit.
Ndeshja pritet të jetë e zjarrtë, por Lamine Yamal ka shtuar edhe më shumë “erë” para këtij dueli të madh.
Fundjavën e kaluar, trajneri i Barcelonës Hansi Flick u përjashtua nga ndeshja, sipas katalanasve, padrejtësisht dhe nuk do të jetë në pankinë kundër Los Blancos, pasi apeli për ta hequr pezullimin u refuzua. Menjëherë pas kësaj, presidenti Joan Laporta hodhi dyshime se “nëse nuk kishte ndikim nga Real Madridi tek gjyqtarët, atëherë ashtu dukej”.
Më pak se 48 orë më vonë, portieri Thibaut Courtois iu përgjigj Laportës, duke thënë se ai po përpiqej vetëm të krijonte një “tymnajë”, pasi Barcelona aktualisht është nën hetim për pagesa të dyshimta ndaj një ish-anëtari të Komitetit të Gjyqtarëve.
Të enjten në mbrëmje, para ndeshjes, Lamine Yamal mori pjesë në një event promovues për King’s League, ku ai është president i një ekipi. Duke folur për Real Madridin, Yamal u shpreh pa dorashka:
“Po, ata vjedhin, ankohen, bëjnë gjëra… hajde, e dimë si është puna,” – tha Lamine Yamal.
Ky lloj qëndrimi nuk është i ri për Barcelonën, pasi edhe vetë Laporta shpesh ka lënë të nënkuptohet se Real Madridi favorizohet nga gjyqtarët, ndonëse edhe madrilenët mendojnë të njëjtën gjë për Barcelonën.
(Kosova Sot Online)
