Dardanët nisin përgatitjet për ndeshjen ndaj Sllovenisë

  • A.P /
  • 24 October 2025 - 13:30
Dardanët nisin përgatitjet për ndeshjen ndaj Sllovenisë

Grupi i tifozëve të Kosovës, Dardanët, kanë bërë një njoftim të rëndësishëm para ndeshjes së madhe të 15 nëntorit ndaj Sllovenisë, që do të luhet në Lubjanë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm.

Në komunikatën e tyre, Dardanët theksojnë se në këtë përballje do të udhëtojnë “më të motivuar se kurrë dhe më me besim se çdoherë tjetër”, duke e konsideruar takimin si një ditë të madhe për kombëtaren e Kosovës.

Në lidhje me biletat, tifo-grupi ka bërë të ditur se në shpërndarjen e tyre do të ketë përparësi për tifozët që kanë qenë të pranishëm në ndeshjet e kaluara si mysafirë, duke vlerësuar kontributin e tyre të vazhdueshëm në çdo cep të Evropës.

“Për respekt të mundit, pasionit dhe sakrificave që kanë treguar për ta përkrahur Kosovën kudo, pavarësisht rezultateve, mundësia e parë për t’u pajisur me biletë është e drejtë t’u takojë atyre”, thuhet në njoftim.

Pas tyre, radha do t’u takojë anëtarëve të tjerë të grupit për biletat që mbeten në dispozicion.

Dardanët kanë ftuar të gjithë të interesuarit që i përmbushin kriteret të paraqiten në fanclub-in në Prishtinë, për t’u koordinuar rreth udhëtimit drejt Lubjanës, që sipas tyre pritet të jetë “triumfal, historik dhe i paharruar”.

(Kosova Sot Online)