Juventusi do të takohet me Spallettin

  • A.P /
  • 28 October 2025 - 10:16
Juventusi do të takohet me Spallettin

Sipas “Sky Sport Italia”, Juventus mund të takohet ballë për ballë me Luciano Spalletti të martën për të diskutuar mundësinë e emërimit të tij si trajner i ri i Bianconerëve, ndërsa klubi po përgatit një kontratë afatshkurtër me opsion rinovimi.

Juventus është në kërkim të një trajneri të ri pas shkarkimit të Igor Tudor të hënën.

Kroati nuk kishte fituar në tetë ndeshje radhazi në të gjitha garat, ndërsa skuadra e tij nuk kishte shënuar në katër ndeshjet e fundit.

Ai bëhet trajneri i parë në Serie A që humbet vendin e punës në sezonin 2025-26, pasi qëndroi vetëm tetë ndeshje në kampionat.

Sipas raportimeve të Gianluca Di Marzio dhe “Sky Sport Italia”, Juventus mund të zhvillojë takimin me Spallettin që të martën, ndërsa sipas raportimeve të “Football Italia” konfirmohet se ish-trajneri i Napolit dhe Italisë është kandidati kryesor për të zëvendësuar Tudorin.

Sipas përditësimeve të fundit, Juventus është gati t’i ofrojë Spallettit një kontratë deri në fund të sezonit 2025-26, me detyrim për rinovim automatik nëse skuadra siguron kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

Sipas Di Marzio, mbetet për t’u parë nëse zgjatja automatike do të jetë për një vit tjetër, apo për dy vite të plota. Raportimi i së hënës në mbrëmje shton se Spalletti është i prirur ta pranojë ofertën në të dy rastet.

“Sky” gjithashtu raporton se Spalletti ka refuzuar disa oferta nga jashtë, përfshirë Fenerbahçen dhe disa propozime të majme nga Katari, për t’u fokusuar për një rikthim në Serie A.

(Kosova Sot Online)