Reali dhe A22 po e përgatisin një padi masive ndaj UEFA-s
Një kapitull i ri në betejën ligjore për Superligën evropiane.
Avokatët e Real Madridit dhe shoqërisë promovuese të projektit, A22 Sports Management, janë duke e kompletuar një kërkesë për kompensim kundër UEFA-s për një shumë të vlerësuar prej 4,5 miliardë eurosh.
Kjo shifër do t’i përfshinte dëmet financiare, fitimet e humbura dhe dëmtimin e reputacionit të pësuar për shkak të pamundësisë për ta nisur garën.
Vendimi e shënon një ndryshim të strategjisë: pas muajsh negociatash të dështuara, klubi i Florentino Perezit dhe A22 janë vënë në kundërsulm, duke e akuzuar UEFA-n që nuk e ka respektuar vendimin e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian (dhjetor 2021), e cila kishte vendosur që rregullat e FIFA-s dhe të UEFA-s mbi garat e klubeve përbënin abuzim me pozicionin dominues dhe një kufizim të konkurrencës së lirë.
Përkundër një serie të takimeve mes shefit ekzekutiv të A22, Bernd Reichart dhe sekretarit gjeneral të UEFA-s, Theodore Theodoridis, bisedimet ngecën për shkak të mosmarrëveshjeve mbi formatin e garës.
Sipas A22, UEFA thjesht “bleu kohë” për ta bllokuar lindjen e Superligës evropiane.
A22 nënvizon se objektiv i saj nuk është që ta zëvendësojë Ligën e Kampionëve, por ta riformatoj dhe ta modernizojë futbollin evropian.
Pra, Reali dhe A22 janë të gatshëm ta nisin një betejë ligjore e cila mund ta shënonte një precedent historik në futbollin kontinental.
(Kosova Sot Online)
