Sot zhvillohen dy ndeshje të Superligës së Kosovës

  • A.P /
  • 01 November 2025 - 10:30
Sot zhvillohen dy ndeshje të Superligës së Kosovës

Sot zhvillohen dy ndeshje mjaft interesante në kuadër të xhiros së 12-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Në orën 13:00, tri herë kampioni Ballkani do të jetë nikoqir i Ferizajt në stadiumin e Suharekës, ndërsa nga ora 18:30, në “Fadil Vokrri”, Prishtina do të përballet me Gjilanin.

Në përballjen e parë mes tyre këtë sezon, Ballkani kishte triumfuar si mysafir i Ferizajt me rezultatin 3-1, dhe skuadra e Orges Shehut synon ta përsërisë suksesin për të ruajtur ritmin në garën për kreun e tabelës.

Ferizaj, në anën tjetër, kërkon një rezultat pozitiv ndaj një rivali shumë të fortë për të dalë nga zona e rrezikut dhe për të fituar besim pas disa javësh të vështira.

Sfida e mbrëmjes pritet të jetë po aq emocionuese, ku Prishtina do të kërkojë hakmarrje ndaj Gjilanit, skuadër që e kishte mposhtur me shifrat 3-1 në ndeshjen e parë të sezonit.

Kryeqytetasit synojnë të rikthehen te fitoret, pas humbjes ndaj Llapit. Ndërsa Gjilani, nën drejtimin e Debatik Currit, kërkon të kthehet po ashtu te fitorja, pasi u mposht në mesjavë nga Dukagjini.

Nesër zhvillohe tri ndeshjet e mbetura të xhiros së 12-të.

Drita e pret Llapin, Dukagjini i bën konak Malishevës, teksa Drenica i shkon Prishtinës së Re.


(Kosova Sot Online)