Guardiola i thur lavde Haalandit

  • A.P /
  • 03 November 2025 - 08:54
Guardiola i thur lavde Haalandit

Erling Haaland shënoi edhe dy gola të tjerë për ta çuar numrin e tij të golave në Premierligë në 13 këtë sezon, në fitoren 3-1 të Manchester Cityt ndaj Bournemouthit, një paraqitje që la pa fjalë si trajnerin e tij, ashtu edhe kundërshtarët.

Trajneri i Cityt, Pep Guardiola, ishte shumë entuziast teksa përshkroi golin e parë të Haalandit, një vrapim i pamëshirshëm nga gjysma e fushës, i përfunduar me saktësi karakteristike.

“Është ai goli i parë, mënyra si e goditi topin drejt tokës. Ishte si të thoshte: ‘Unë do ta shënoj këtë.’ Ishte ajo vendosmëri,” tha Guardiola, i cili e përqafoi sulmuesin e tij të çmuar teksa po dilnin nga fusha.

Kur u pyet nëse Haaland mund të krahasohej me golashënuesit e mëdhenj si Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, Guardiola qeshi:

“I patë numrat e atij djali? Oh Zot, sigurisht që po. Dallimi është që Cristiano dhe Messi kanë 15 vjet më shumë karrierë (se Haaland).”

Guardiola e lavdëroi 25-vjeçarin jo vetëm për golat, por edhe për qëndrimin e tij.

“Ndonjëherë jam i ashpër me të. I them të bëjë këtë apo atë më mirë, dhe ai gjithmonë e pranon me mendje të hapur. Ka lojtarë që reagojnë ‘Çfarë po thua?’, por ai është me këmbë në tokë,” tha Guardiola.

“E dini, pa të do të ishte e vështirë, sinqerisht. Jemi me fat që kemi një person të jashtëzakonshëm, sepse është njeriu më i ëmbël dhe më i sjellshëm. Dhe do të përmirësohet edhe më shumë. Si lojtar, statistikat e tij janë të jashtëzakonshme.”

Trajneri i Bournemouthit, Andoni Iraola, pranoi se prania e Haalandit e ndryshon tërësisht mënyrën se si duhet të luajnë kundërshtarët:

“Është shumë e vështirë të luash kundër tij,” tha Iraola, skuadra e të cilit pësoi humbjen e parë pas nëntë ndeshjeve në ligë. “Ai është i mahnitshëm. Kur shtyp më lart dhe lë hapësira prapa, ai është tepër i shpejtë.”

Mesfushori i Bournemouthit, David Brooks, ishte në të njëjtën linjë:

“Ai lojtari i madh përpara – Haaland – është gjithmonë kërcënim,” tha Brooks. “Është pothuajse e pamundur të përgatitesh përballë tij. Është 1.95 i gjatë, i fuqishëm, një rrezik i madh sa herë që topi i bie afër. I shfrytëzoi rastet e tij në mënyrë perfekte.”


(Kosova Sot Online)