Ish-futbollisti i Man Utd e padit klubin
Një ish-lojtar i Manchester United po vazhdon me një padi prej 1 milion paundësh, duke paditur klubin për “neglizhencë klinike” në lidhje me “këshillat mjekësore” që kishte marrë.
Axel Tuanzebe, i cili doli nga akademia e Manchester United, kishte paraqitur padinë në Gjykatën e Lartë në korrik.
Koha e Tuanzebe te “Old Trafford” ishte e mbushur me lëndime dhe, sipas dokumenteve gjyqësore që ka parë Sky News, pretendohet se mbrojtësi tashmë nuk është më në gjendje të luajë “pa kufizime apo pengesa fizike”.
Mbrojtësi, i cili aktualisht luan për skuadrën e Premier League, Burnley, “pret të fitojë dëmshpërblim që tejkalon shumën prej 1 milion paundësh” nëse fiton çështjen ndaj Manchester United.
Tuanzebe iu bashkua Manchester United që në moshën tetëvjeçare dhe u ngjit nëpër grupmosha derisa debutoi me ekipin e parë në janar të vitit 2017.
Gjatë kohës në “Old Trafford”, ai pësoi disa lëndime, përfshirë një dëmtim që i mbylli sezonin kundër Colchester United në Kupën Carabao, në dhjetor 2019.
Tani, për herë të parë, janë zbuluar detajet thelbësore mbi të cilat është ndërtuar padia e Tuanzebe ndaj Manchester United.
Akuza kryesore lidhet me një frakturë në anën e majtë të shtyllës kurrizore – një dëmtim i quajtur “pars fracture”, që ndikon në pjesën e poshtme të shpinës – i cili ndodhi në janar 2020.
Thuhet se ky dëmtim i ka shkaktuar lojtarit “dhimbje dhe shqetësime të konsiderueshme që nga zhvillimi dhe përkeqësimi i tij”.
Sipas raportimeve, padia shpjegon se problemi u bë kronik në korrik 2022, kur lojtari pësoi të njëjtin dëmtim edhe në anën e djathtë të shpinës.
(Kosova Sot Online)
