E ardhmja e Robert Lewandowskit është ende e paqartë
E ardhmja e Robert Lewandowskit është ende e paqartë — siç e pranon edhe vetë ai. Sulmuesi veteran i Barcelonës e rikujtoi fuqinë e tij të zakonshme golashënuese të dielën në mbrëmje me një “hat-trick”, por nuk ka asnjë qartësi se çfarë do të ndodhë me të pas përfundimit të këtij sezoni, kur edhe i skadon kontrata me katalanasit.
Sipas raportimeve nga Katalonia, Barcelona nuk pritet t’i ofrojë një kontratë të re. Drejtori sportiv Deco thuhet se është i prirë të kërkojë një zëvendësues më të ri në moshë dhe të mendojë për të ardhmen.
Lewandowski tha për Goal, përmes Sport:
“Ende nuk e di përgjigjen. Prandaj nuk kam nxitim; jam në paqe me veten time. Dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Edhe nëse, për shembull, klubi më kontaktonte tani, unë sërish nuk do t’i përgjigjesha kësaj pyetjeje, sepse dua të ndjej vetë se çfarë është më e mira për mua. Tani për tani jam i qetë, nuk kam nxitim dhe në këtë moment nuk pres asgjë më shumë.”
Megjithatë, zërat se Lewandowski do të pensionohet nëse Barcelona nuk i rinovon kontratën nuk janë të vërtetë, sipas menaxherit të tij, Pini Zahavi, i cili ndërmjetësoi kalimin e tij në “Camp Nou”.
“Raportet se Lewandowski po mendon për pensionim nuk janë të vërteta. Ai është ende një sulmues i nivelit më të lartë, por nuk ka asnjë lajm për rinovimin apo për të ardhmen e tij me Barcelonën,” — tha Zahavi për Win Win Sports.
Në rast se Barcelona nuk e rinovon, Lewandowski ka ende interesim nga klube të mëdha europiane. Sipas raportimeve, trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, do të donte ta sillte në Madrid, ndërsa Sky Sports zbulon se Drejtori Sportiv i Milanit, Igli Tare, ka kontaktuar Zahavin për të organizuar një takim.
Thuhet se Zlatan Ibrahimovic është një nga zërat kryesorë brenda Milanit që po shtyn për transferimin e Lewandowskit, duke besuar se ai mund të jetë një shembull i shkëlqyer për lojtarët e rinj.
Nëse raportimet janë të sakta se Lewandowski dëshiron të vazhdojë të luajë në nivelin më të lartë, atëherë Milan do të ishte një zgjedhje ideale.
Një kalim në Madrid apo Milan do ta mbante polakun brenda dy orësh larg shtëpisë që ka ndërtuar në Barcelonë, me 37-vjeçarin që nuk dëshiron të shpërngulë familjen e tij.
(Kosova Sot Online)
