Barcelona e bën prioritet Harry Kanen

  • A.P /
  • 13 November 2025 - 07:45
Barcelona e bën prioritet Harry Kanen

Barcelona e ka bërë Harry Kanen objektivin e tyre të parë për të zëvendësuar Robert Lewandowskin. 

Kampioni i Spanjës e sheh kapitenin 32-vjeçar të Anglisë si zëvendësuesin ideal më të ri për polakun 37-vjeçar, kontrata e të cilit skadon në qershor, dhe mund të jetë i gatshëm të aktivizojë klauzolën në kontratën e Kanet me Bayern Munichun që do t’i lejonte atij të largohej për 57 milionë funte në verë.

Kane ka rezultuar një sukses i madh te Bayerni që kur iu bashkua nga Tottenhami për 100 milionë funte në gusht të vitit 2023, duke shënuar plot 108 gola në 113 ndeshje. 

Në shtator, ai u bë lojtari më i shpejtë i këtij shekulli që arrin 100 gola për një klub që luan në njërën nga pesë ligat më të mëdha evropiane. Ai gjithashtu i dha fund mungesës së trofeve në maj, pasi luajti rol kyç në rikthimin e titullit të Bundesligës nga Bayerni.

Muajin e kaluar, Kane deklaroi se ishte i hapur të qëndronte te Bayerni edhe pas skadimit të kontratës në qershor të vitit 2027. 

Megjithatë, mundësia për t’u bashkuar me një tjetër nga klubet më të mëdha të botës dhe për të garuar për trofe të tjerë madhorë mund ta tundojë atë drejt Barcelonës, e cila tashmë ka një tjetër përfaqësues të Anglisë, Marcus Rashford, në skuadër. 

Sulmuesi është në huazim nga Manchester United, dhe në kontratën e tij me Barçën ekziston një opsion që i lejon katalanasit ta blejnë përfundimisht për 30 milionë funte.

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit të Lionel Messit në klub. 

Argjentinasi vizitoi “Camp Noun” këtë javë, duke nxitur spekulime se mund të ishte në rrugë për t’u kthyer nga Inter Miami.

“Për respekt ndaj Messit, lojtarëve tanë dhe anëtarëve të klubit, nuk është momenti të spekulojmë me skenarë jorealistë,” tha Laporta për Catalunya Radio.

(Kosova Sot Online)