Duka: Ndeshja ndaj Andorrës, më e rëndësishmja e edicionit

  • A.P /
  • 13 November 2025 - 10:30
Duka: Ndeshja ndaj Andorrës, më e rëndësishmja e edicionit

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur në prag të përballjes vendimtare që Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë nesër ndaj Andorrës, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Duka e cilësoi sfidën si “më të rëndësishmen e edicionit”, duke theksuar se skuadra duhet të jetë maksimalisht e përqendruar për të siguruar tri pikët që mbajnë gjallë shpresën për fazën play-off.

“Kjo përballje është shumë e rëndësishme për objektivat tona. Nuk ka vend për vetëkënaqësi, vetëm për impenjim maksimal dhe për të bërë detyrën,” u shpreh Duka.

Ai shtoi se Andorra nuk është rival i lehtë, duke kujtuar se edhe skuadra si Anglia kanë hasur vështirësi ndaj saj, ndërsa vlerësoi mbështetjen e tifozëve shqiptarë që kanë mbushur stadiumin.

“Tifozët tanë e dinë që nuk ka ndeshje të lehta, por janë gjithmonë pranë Kombëtares për ta çuar drejt fitores,” tha kreu i FSHF-së.

Duka shtoi se objektivi është që kualifikimi të mbyllet në Andorra, në mënyrë që ndeshja e fundit ndaj Anglisë në “Air Albania” të jetë “një ndeshje luksi” për kuqezinjtë.

(Kosova Sot Online)