Messi me postim pasi e fitoi titullin në MLS

  • A.P /
  • 08 December 2025 - 09:15
Messi me postim pasi e fitoi titullin në MLS

Inter Miami ka shkruar historinë duke u shpallur kampion i MLS, dhe njeriu që e udhëhoqi këtë rrugëtim, Lionel Messi, ka reaguar me një mesazh plot emocion e mirënjohje.

Argjentinasi, i cili ka ndryshuar fytyrën e klubit që nga transferimi i tij në verën e vitit të kaluar, e ndau gëzimin me tifozët dhe bashkëlojtarët.

“Jemi kampionë tëMLS” – nisi ai mesazhin, duke theksuar se prej ditës së parë në Miami kishte ëndërruar këtë moment.

Messi shtoi se skuadra u rrit gradualisht, u përmirësua dhe arriti të ndërtonte diçka “të veçantë” që kulmoi me titullin e madh.

Ai falënderoi tifozët për mbështetjen e vazhdueshme, ekipin dhe stafin teknik për punën e palodhur, si dhe drejtuesit e klubit për ambicien dhe projektin që e solli Inter Miamin në majë të futbollit amerikan.

Në fund, Messi ndau edhe një falënderim të veçantë për miqtë e tij të afërt dhe bashkëlojtarë, Sergio Busquets dhe Jordi Alba:
“Faleminderit Busi dhe Jordi për këtë aventurë dhe për mënyrën se si e mbyllëm. Jam shumë i lumtur ta ndaj këtë me ju.”

Ky titull shënon një tjetër kapitull të lavdishëm në karrierën e Messit dhe një moment historik për Inter Miamin, klub që vetëm pak vite më parë nisi rrugëtimin e tij në futbollin amerikan.

Me ikonën argjentinase në krye, ekipi jo vetëm fitoi trofeun, por ndryshoi edhe perceptimin për futbollin në MLS, duke e çuar atë në një nivel të ri global.


(Kosova Sot Online)