Chelsea planifikon të rishikojë pozicionin e Marescas

  • A.P /
  • 13 December 2025 - 10:00
Chelsea planifikon të rishikojë pozicionin e Marescas

Chelsea raportohet se e ka paralajmëruar trajnerin e Crystal Palace, Oliver Glasner, që të mos angazhohet me një kontratë të re, mes pasigurisë në rritje rreth së ardhmes afatgjatë të Enzo Marescas në “Stamford Bridge”.

“Sipas një burimi të besueshëm në X, drejtuesit e klubit londinez po monitorojnë nga afër opsionet e mundshme për stolin, teksa shqetësimet po shtohen për mungesën e drejtimit dhe qëndrueshmërisë së skuadrës nën drejtimin e trajnerit italian”, raporton “Caught Offside”.

Chelsea planifikon të rishikojë pozicionin e Marescas në muajin shkurt, megjithëse një vendim mund të merret edhe më herët nëse rezultatet vazhdojnë të përkeqësohen.

Forma e Bluve ka rënë ndjeshëm javët e fundit, me katër ndeshje pa fitore në të gjitha kompeticionet, përfshirë një humbje vendimtare në Champions League ndaj Atalantës, që ka bërë që si tifozët ashtu edhe drejtuesit të vënë në pikëpyetje drejtimin e projektit.

Maresca pritej të sillte në Londrën Perëndimore filozofinë e tij të bazuar në posedim dhe të frymëzuar nga “tiki-taka”, të cilën e aplikoi te Leicester City.

Megjithatë, kjo qasje ende nuk është përkthyer në paraqitje të qëndrueshme.

“Burime nga brenda dhomave të zhveshjes thonë se si stafi teknik ashtu edhe lojtarët po hasin vështirësi në kuptimin e udhëzimeve taktike të tij. Drejtuesit e klubit janë veçanërisht të shqetësuar për mënyrën se si Maresca po i përdor lojtarët kyç, si Cole Palmer, duke besuar se sistemi i tij i ngurtë mund t’ia kufizojë lirinë kreative yllit të ri dhe t’ia ulë ndikimin në fazën finale të sulmit”, shtohet në raportimin e “Caught Offside”.

Mes kësaj pasigurie, hierarkia e Chelseat ka vendosur kontakte joformale me Oliver Glasner, i cili ka bërë përshtypje që nga momenti kur mori drejtimin e Crystal Palace, duke i udhëhequr ata drejt gjysmës së sipërme të tabelës së Premierligës.

Glasner e ka udhëhequr Palace drejt fitimit të FA Cup dhe Community Shield këtë vit, një arritje e shkëlqyer duke pasur parasysh burimet e kufizuara që ka pasur në dispozicion.

Trajneri austriak, i cili më parë e çoi Eintracht Frankfurt drejt triumfit në Europa League, vlerësohet për fleksibilitetin taktik dhe aftësinë për të maksimizuar burimet e kufizuara, cilësi që Chelsea beson se mund ta stabilizojnë projektin e tyre nëse vendosin të ndahen nga Maresca.

Në listën e ngushtë të Chelseat është shtuar edhe Andoni Iraola, trajneri aktual i Bournemouth. Stili i tij me presion të lartë dhe sulm fluid ka marrë vlerësime pozitive dhe shihet brenda klubit si një përshtatje shumë e mirë për skuadrën e re dhe energjike të Chelset.

(Kosova Sot Online)