Vritet ish-lojtari i Kombëtares

  • A.P /
  • 18 December 2025 - 12:45
Vritet ish-lojtari i Kombëtares

Ish-reprezentuesi i Ekuadorit, Mario Pineida, u vra të mërkurën në qytetin portual të Guayaquil-it, njoftoi klubi i tij, Barcelona SC.

Pineida, mbrojtës 33-vjeçar, kishte luajtur për Ekuadorin në kualifikimet për Kupën e Botës 2018 në Rusi dhe Kupën e Botës 2022 në Katar. Ai fitoi titullin e kampionit të Ekuadorit me Barcelona SC në vitin 2016 dhe kishte luajtur gjithashtu edhe për klubin brazilian Fluminense.

Ministria e Brendshme e Ekuadorit konfirmoi të shtënat, duke shtuar se një njësi speciale e policisë “po punon në rast”.

Sipas faqes Primicias, Pineida u qëllua nga dy persona në një motoçikletë, të cilët qëlluan gjithashtu edhe nënën e tij dhe një grua tjetër, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore nuk dihet, transmeton Hina.

Ekuadori, i konsideruar prej kohësh si një oaz paqeje në Amerikën Latine, vitet e fundit është përballur me rritje të dhunës, ndërsa banda rivale të lidhura me kartelët meksikanë dhe kolumbianë luftojnë për kontrollin e trafikut të drogës.

(Kosova Sot Online)