Laporta: Zgjedhjet 2026 do të jenë të fundit

  • A.P /
  • 19 December 2025 - 11:45
Laporta: Zgjedhjet 2026 do të jenë të fundit

Presidenti i FC Barcelona, Joan Laporta, ka folur gjerësisht për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e klubit në një intervistë për La 2 Catalunya, duke prekur zgjedhjet e vitit 2026, marrëdhënien me Lionel Messin, projektin sportiv dhe përplasjet me Real Madridin.

Laporta kujtoi me nostalgji mandatin e tij të parë (2003–2010), duke theksuar se firmosja e Ronaldinhos ishte moment kyç: “Ishte nënshkrimi i parë i madh dhe ai që i dha jetë të re Barcelonës.”

Sa i përket Lionel Messit, presidenti pranoi se largimi i legjendës ishte i dhimbshëm dhe se marrëdhënia mes tyre është ftohur, por la derën hapur për pajtim: “Epoka e Messit është më e lavdishmja në historinë tonë. Ai i ka dhënë shumë Barçës, por edhe Barça i ka dhënë shumë atij.”

Duke folur për të ardhmen sportive, Laporta u shpreh optimist për brezin e ri: “Lamine Yamal është e tashmja dhe e ardhmja, ashtu si Pedri dhe Cubarsí. Po ndërtojmë një projekt të madh.”

Në planin institucional, Laporta konfirmoi se zgjedhjet e vitit 2026 do të jenë hera e fundit që ai kandidon për president: “Nuk e mendoja se do të rikthehesha, por e bëmë për ta kthyer situatën. Kjo do të jetë hera e fundit.”

Ai mohoi zërat për dorëheqje dhe foli për presionin e vazhdueshëm, ndërsa nuk kurseu kritikat ndaj Real Madridit për çështjen Negreira: “Po e zvarrisin si çamçakëz. Nuk ka prova për ryshfet ndaj arbitrave, sepse nuk ka ndodhur.”

Në fund, Laporta mbrojti presidentin e La Ligës, Javier Tebas, duke theksuar integritetin e tij dhe duke sugjeruar se sulmet nga Madridi kanë motive politike.

Një intervistë e fortë nga Laporta, që riafirmon vizionin e tij për Barçën dhe përplasjet e hapura në futbollin spanjoll. 

(Kosova Sot Online)