Jeta e heshtur e Michael Schumacher

  • A.P /
  • 30 December 2025 - 15:15
Jeta e heshtur e Michael Schumacher

“Michael është ndryshe, por ai është këtu”. Këto jashtë fjalët e thëna nga bashkëshortja e tij, Korina, përmbledhin realitetin e përditshëm të familjes Mikael Shumaher, 12 vjet pas asaj dite fatale të 29 dhjetorit 2013, kur jeta e tyre ndryshoi përgjithmonë.

Që prej aksidentit të rëndë gjatë skijimit në Alpet Franceze, Michael Schumacher jeton larg syrit të publikut, nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor. Ditët e tij janë të mbushura me fizioterapi, rehabilitim ujor dhe stimulim shqisor, në një përpjekje të pandërprerë për të ruajtur funksionet bazë të trupit. Koha ka kaluar ngadalë, por shenjat e viteve nuk reflektohen aq shumë në trupin e tij, të mbajtur vazhdimisht në lëvizje nga specialistët sa në fytyrën e tij, e cila tregon kalimin e kohës.

Pas syzeve të tij, Shumaher “është aty”, por jo më siç ishte dikur. Ankthi i familjes mbetet i njëjtë: pamundësia për të ditur me siguri nivelin e vetëdijes së tij. Djali i tij, Mik Shumaher, ka folur më parë për dëshirën e madhe që një ditë të mund të ndajë sërish me të atin pasionin e përbashkët për sportet motorike. Në prill të vitit të kaluar, Mikael u bë gjysh, pasi vajza e tij Gina solli në jetë vajzën e saj. Një moment gëzimi për familjen, i përjetuar sërish në heshtje dhe privatësi. Ironikisht, aksidenti ndodhi pasi Shumaher kishte shprehur dyshime për cilësinë e borës, para se të dilte për ski në atë shpat fatal. Edhe pse ishte brenda shtyllave të pistës, siç u konfirmua nga pamjet e kamerës së tij dhe nga autoritetet franceze, ai rrëshqiti dhe goditi kokën në një shkëmb disa metra përtej limitit.

Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 u transportua me helikopter në spital, pavarësisht se mbante helmetë dhe u vendos në komë të shkaktuar nga mjekësia për disa muaj. Më pas, ai u transferua në shtëpinë e familjes pranë Liqenit të Gjenevës, ku jeton edhe sot, duke marrë kujdes mjekësor 24 orë në ditë. Detajet mbi gjendjen e tij shëndetësore janë mbajtur rreptësisht private. Raportet sugjerojnë se jeta e tij e përditshme është jashtëzakonisht e kufizuar, se ai kërkon kujdes të vazhdueshëm nga një ekip i madh mjekësor dhe se komunikon vetëm përmes syve. Familja ka qenë e palëkundur në mbrojtjen e privatësisë së tij, duke lejuar që vetëm një rreth shumë i ngushtë njerëzish ta vizitojë.

Ish-shefi i tij te Ferrari, Zhan Tod, mbetet një nga personat e paktë që lejohen ta takojnë Schumacherin. Sipas burimeve, rreth nëntë persona kanë këtë mundësi, me vizitat që menaxhohen drejtpërdrejt nga Corinna Schumacher. Pavarësisht thashethemeve të herëpashershme, përfshirë raportimet e vitit 2024 se Schumacher kishte marrë pjesë në dasmën e vajzës së tij Xhina, familja ka kundërshtuar publikisht këto pretendime, duke ruajtur vijën e qartë të heshtjes.

Për publikun, Mikael Shumaher mbetet ai që njihet dhe mbahet mend: një nga pilotët më të mëdhenj në historinë e Formula 1, fitues i pesë titujve radhazi me Ferrarin nga viti 2000 deri në 2004 dhe shtatë kampionateve botërore në total. Një legjendë e sportit, imazhi i së cilës jeton ende, edhe pse njeriu pas tij nuk është më ai që ishte dikur.

(Kosova Sot Online)