Reali po e monitoron formën e mesfushorit të Premierligës
Real Madridi duket se e ka pranuar se do të duhet të forcojë mesfushën në vitin 2026, pavarësisht investimeve të mëdha të viteve të fundit te Arda Güler, Aurélien Tchouaméni, Eduardo Camavinga dhe Jude Bellingham. Tashmë, klubi po vlerëson opsionet për afatin kalimtar të verës.
Fillimisht, objektivi kryesor mendohej të ishte Rodri Hernández i Manchester Cityt, por lidhjet mes “Los Blancos” dhe mesfushorit spanjoll janë zbehur kohët e fundit.
Ai ishte identifikuar si objektivi kryesor për vitin 2025 pas Europianit, por një dëmtim i ligamentit të kryqëzuar bëri që Real Madridi të tërhiqej.
Pas mungesës gjatë gjithë sezonit të kaluar, Rodri ka pasur probleme të vazhdueshme me dëmtimet te City, duke luajtur vetëm 415 minuta këtë sezon.
Megjithatë, ndaj Sunderlandit në Ditën e Vitit të Ri, Rodri u aktivizua në pjesën e dytë dhe u shfaq si në ditët e tij më të mira, duke kontrolluar lojën dhe diktuar ritmin për Cityn.
Sipas “Marca”, Real Madridi vazhdon ta monitorojë nga afër progresin e tij dhe ai mbetet një opsion për vitin 2026 nëse tregon se është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi.
29-vjeçarit do t’i mbetet vetëm një vit kontratë dhe për këtë arsye “Los Blancos” mund të kërkojnë një marrëveshje me çmim më të ulët, sidomos duke pasur parasysh se Rodri në të kaluarën ka pranuar dëshirën për t’u rikthyer një ditë në La Liga.
Edhe pse situata e kontratës e favorizon Realin, Manchester City pritet të kërkojë gjithsesi një shifër të konsiderueshme për fituesin e Topit të Artë.
Raporte të fundit kanë bërë të ditur se Real Madridi po anon gjithnjë e më shumë drejt një lëvizjeje për mesfushorin e AZ Alkmaar, Kees Smit, verën e ardhshme.
19-vjeçari përputhet me politikën e transferimeve të klubit për të mos investuar shuma të mëdha te lojtarët mbi 23 vjeç – pasi lojtarë të moshës dhe prestigjit të Rodrit kanë ardhur zakonisht falas në Madrid vitet e fundit, gjë që do të kërkonte një përjashtim nga strategjia e zakonshme.
(Kosova Sot Online)
