Alonso nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të një injeksion

  • A.P /
  • 10 January 2026 - 14:30
Alonso nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të një injeksion

Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të një injeksioni kundër dhimbjeve për yllin e skuadrës, Kylian Mbappe, përpara finales së Superkupës së Spanjës ndaj Barcelonës. Sulmuesi francez po përpiqet të rikthehet në kohë, pasi vuan nga një dëmtim në gju të pësuar para ndërrimit të viteve.

Mbappe, i cili ka shënuar më shumë se gjysmën e golave të Real Madridit këtë sezon, kishte menaxhuar dhimbjet në gju që nga fillimi i dhjetorit, por e përkeqësoi dëmtimin gjatë një stërvitjeje. Fillimisht ishte paraparë të mungonte në Superkupë, por të premten udhëtoi për t’iu bashkuar bashkëlojtarëve të tij.

“Ai është shumë më mirë”, u shpreh Alonso. “Ideja fillestare ishte që të ishte gati vetëm për ndeshjen ndaj Atleticos, ndaj vendosëm të mos e nxitojmë, por nëse arrinim në finale, në varësi të mënyrës se si do të ndihej, ai do të vinte. Kur të stërvitet sot, do t’i kemi të gjitha informacionet e nevojshme për ta vlerësuar dhe për të parë nëse është gati të startojë apo të luajë më pak.”

Alonso u pyet gjithashtu nëse Real Madridi do ta konsideronte aktivizimin e Mbappes përmes një injeksioni kundër dhimbjeve.

“Duhet ta masim rrezikun. Ta dimë se çfarë është në lojë dhe të marrim përgjegjësi për vendimet. Nuk jemi kamikazë kur bëhet fjalë për vendimmarrje. Është një rrezik i kontrolluar,” tha ai.

Përballja e fundit mes dy skuadrave përfundoi me fitore 2-1 për Real Madridin në Santiago Bernabeu, por Alonso theksoi se nuk do të përdorte domosdoshmërisht të njëjtin plan loje.

“Përgjigjja është e ngjashme me atë para ndeshjes me Atle­ticon. Ndeshja në Wanda nuk ishte pikë referimi, por nuk e kemi harruar. Tani është e njëjta gjë. Konteksti mund të jetë ndryshe. Ndeshja e nesërme do të ketë momente për gjithçka. Vetëbesimi dhe energjia e nevojshme do të jenë shumë të rëndësishme.”

(Kosova Sot Online)