Laporta: Barcelona po luan futboll spektakolar

  • A.P /
  • 12 January 2026 - 12:30
Laporta: Barcelona po luan futboll spektakolar

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta ka shprehur kënaqësinë e tij të madhe pas suksesit të fundit të skuadrës në Superkupën e Spanës, duke theksuar se klubi katalanas po kalon nëpër një moment shumë pozitiv si në rezultate ashtu edhe në lojë.

Pas triumfit të fundit, Laporta deklaroi se Barcelona po e zhvillon një futboll spektakolar, i cili jo vetëm sjell fitore, por edhe kënaq tifozët anembanë botës.

Sipas tij, skuadra po reflekton qartë identitetin historik të klubit, të bazuar në lojë sulmuese, kontroll të topit dhe shpirt kolektiv.

Presidenti blaugrana e vlerësoi veçanërisht punën e trajnerit Hansi Flick, duke theksuar se ai ka sjellë disiplinë, mentalitet fitues dhe ide të qarta taktike.

“E kemi një trajner që punon shumë dhe që di si ta përmirësojë skuadrën çdo ditë,” u shpreh Laporta.

Gjithashtu, ai i lavdëroi lojtarët për përkushtimin dhe sakrificën e treguar në fushë, duke e përshkruar ekipin si një familje të bashkuar, ku secili jep maksimumin për fanellën.

Ky sukses e rrit optimizmin në kampin katalanas për vazhdimësinë e sezonit, me Barcelonën që synon të jetë konkurruese në të gjitha kompeticionet.

Laporta u shpreh i bindur se ky është vetëm fillimi i një rruge të suksesshme për klubin.

(Kosova Sot Online)