Ronaldo e 'akuzon' Al-Hilalin pas humbjes
Cristiano Ronaldo ka shkaktuar polemika të reja në Saudi Pro League, pas humbjes së tij me Al-Nassr 1-3 ndaj Al-Hilal, skuadër e drejtuar nga Simone Inzaghi.
Ndeshja u vendos në favor të Al-Hilal në Riad, duke ia dhënë ekipit të Inzaghit epërsinë prej +7 pikësh në krye të renditjes.
Al-Nassr kishte kaluar në avantazh falë një goli të Ronaldos në pjesën e parë, por në pjesën e dytë erdhi rimontimi i vendasve, përfshirë edhe një penallti në minutat shtesë që e vulosi fitoren për Al-Hilal.
Pak pasi u ul në stol pas zëvendësimit, Ronaldo u kap nga kamerat duke e bërë një gjest me dorë drejt kamerës, i cili u interpretua si simbolikë e një “vjedhjeje”, duke e treguar zhgënjimin e tij për disa vendime të gjyqtarit në lojë.
Ai e bëri këtë me një buzëqeshje të hidhur, një veprim që i ka ndezur komentet në rrjetet sociale dhe mediat sportive.
Ronaldo shënoi në minutën e 42-të, duke ia sjellë Al-Nassr avantazhin dhe ky ishte goli i tij i 959-të në karrierë.
Megjithatë, vendimet në shtesë — përfshirë një penallti të diskutueshme në favor të Al-Hilal — e shtuan acarimin e situatës, duke sjellë edhe reagimin e Ronaldos.
Fitorja bën që Al-Hilal të largohet në tabelë, duke e bërë më të vështirë garën e titullit për Al-Nassr.
(Kosova Sot Online)
