Balotelli drejt rikthimit
Mario Balotelli mund të jetë gati për një kapitull të ri në karrierën e tij, këtë herë në Dubai. Presidenti i klubit Al Ittifaq, Pietro Laterza, ka zbuluar detaje interesante mbi mënyrën se si lindi ideja për afrimin e sulmuesit italian.
“Gjithçka nisi nga një kërkim në Transfermarkt. Po shikonim listën e futbollistëve pa kontratë dhe sapo pamë emrin e Balotellit, nisëm menjëherë kontaktet me rrethin e tij”, ka deklaruar Laterza.
Sipas presidentit, zgjedhja e Balotellit nuk ishte rastësore.
Klubi e kërkonte një sulmues të gatshëm për të shënuar gola menjëherë, dhe profili i Super Marios përputhej plotësisht me këtë nevojë, shkruan “Gazeta Express”.
“Balotelli është i motivuar dhe në gjendje të mirë fizike. Na duhej një lojtar që mund të bëjë diferencën menjëherë. Për të, Dubai është vendi i duhur për të rifilluar”, shtoi Laterza.
Këto deklarata e kanë rritur interesin dhe kuriozitetin e tifozëve, duke hapur diskutime mbi një tjetër rikthim të mundshëm të Balotellit në skenë.
Pas eksperiencave të ndryshme në Evropë, Lindja e Mesme mund ta përfaqësojë një mundësi të artë për rilindje për ish-sulmuesin e Interit dhe Milanit.
Mbetet për t’u parë nëse bisedimet do të finalizohen, por një gjë është e sigurt: emri i Mario Balotellit vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së futbollit botëror.
(Kosova Sot Online)
