Djali i Zlatanit transferohet tek gjiganti evropian

  • A.P /
  • 14 January 2026 - 13:30
Djali i Zlatanit transferohet tek gjiganti evropian

Maximilian Ibrahimovic, djali i legjendës së futbollit Zlatan Ibrahimovic, e ka hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.

19-vjeçari e ka lënë Milanin për t’u transferuar te Ajaxi, klub historik holandez ku edhe babai i tij e nisi ngritjen drejt majave të futbollit evropian.

Lajmi është bërë zyrtar nga vetë Ajaxi, i cili ka konfirmuar se Maximilian bashkohet me klubin në formë huazimi nga Milani, me një opsion blerjeje në fund të sezonit.

Fillimisht, ai do të jetë pjesë e ekipit U23 të Ajaxit, me synimin që gradualisht të afrohet me ekipin e parë.

Drejtori sportiv i Ajaxit, Marijn Beuker ka theksuar se klubi beson në potencialin e sulmuesit të ri suedez dhe se ky transferim është menduar si një projekt zhvillimi afatmesëm.

“Do të fillojë me ekipin e të rinjve dhe më pas do ta shohim rritjen e tij drejt ekipit të parë”, është shprehur ai.


(Kosova Sot Online)