Interi ka arritur një fitore të rëndësishme ndaj Lecce

  • A.P /
  • 15 January 2026 - 07:45
Interi ka arritur një fitore të rëndësishme ndaj Lecce

Interi ka arritur një fitore të rëndësishme 1-0 si mysafir ndaj Lecce në “Via del Mare”, në ndeshjen e mbetur të javës së 16-të të Serie A.

Ky sukses i siguron zikaltërve tri pikë vendimtare dhe i lejon ata të shkëputen në krye të tabelës me 46 pikë, gjashtë më shumë se Milani i dyti.

Ndeshja u karakterizua nga një ritëm i lartë dhe dominim i Interit në posedim, por skuadra e Chivut hasi vështirësi për të thyer mbrojtjen e organizuar të vendasve.

Në pjesën e parë, rastet nuk munguan: Nicolo Barella dhe Ange-Yoan Bonny u ndalën nga portieri Wladimiro Falcone, ndërsa një penallti fillimisht e dhënë për Interin u anulua pas rishikimit në VAR, duke shkaktuar protesta nga lojtarët zikaltër.

Në fraksionin e dytë, trajneri Cristian Chivu bëri disa ndryshime për të rritur freskinë e skuadrës dhe presioni i Interit u intensifikua.

Lecce kishte disa momente të rrezikshme, sidomos përmes Antonino Gallo, por portieri Yann Sommer reagoi në kohë për të mbajtur portën të paprekur.

Goli vendimtar erdhi në minutën e 78-të: pas një aksioni të gjatë në zonë, Francesco Pio Esposito ishte i pari që reagoi ndaj topit të kthyer dhe shënoi për 1-0.

Pak më vonë, Lautaro Martinez pati një tjetër rast për të vulosur rezultatin, por Falcone ishte sërish në vend.

Me këtë fitore, Interi konsolidon kryesimin e Serie A dhe ruan avantazhin përpara sfidave vendimtare që vijnë. 

(Kosova Sot Online)