Granit Xhaka rrëfen pse zgjodhi Sunderlandin
Granit Xhaka, ka treguar se si disa ish-lojtarë të Sunderlandit e ndihmuan të merrte vendimin për t’u bashkuar me klubin anglez këtë verë.
Ish-lojtari i Arsenalit u transferua te “Macet e Zeza” për një paketë prej 17 milionë funtesh, pasi klubi u rikthye në Premier League pas një periudhe të gjatë.
Sunderland menjëherë e emëroi kapiten dhe Xhaka po shkëlqen nën drejtimin e Regis Les Bris, duke i ndihmuar “Macet e Zeza” të ngjiten lartë dhe të synojnë edhe Evropën, shkruan The Sun.
33-vjeçari pranoi se mendonte se do të përfundonte karrierën e tij në Gjermani, pasi kishte nënshkruar një kontratë afatgjatë me Bayer Leverkusenin.
Por kur Sunderland e kontaktoi, ai deshi një sfidë të re. Pas bisedimeve me familjen, Xhaka u këshillua nga dy ish-lojtarë të klubit Jermain Defoe, heroi i Tottenhamit që pati një periudhë të suksesshme te Sunderland, dhe Lorik Cana, i cili u bashkua me klubin në vitin 2009.
“Nuk prisja të kthehesha në Premier League, por vendimi im erdhi shumë shpejt”, tha Xhaka duke folur për “FourFourTwo”.
“Fola me Kyril [Louis-Dreyfus], fola me Jermain Defoe dhe fola me Lorik Canën, i cili ka një prejardhje të ngjashme me timen dhe ka pasur një periudhë të shkëlqyer këtu në Sunderland. Kyril ishte shumë i hapur që nga fillimi. Pastaj, kur fillon ta shohësh veten duke ardhur në këtë klub, pyet ish-lojtarët, dhe Jermaini dhe Loriku folën shumë mirë për klubin dhe tifozët”, shtoi ai.
Xhaka gjithashtu kujtoi kontratën e tij në Gjermani.
“Kur u largova nga Arsenali për në Leverkusen, nënshkrova një kontratë pesëvjeçare – ishte afatgjatë për një 30-vjeçar, sepse mendova se doja të përfundoja në Gjermani dhe pastaj të shihja çfarë do të ndodhte më pas”, theksoi Xhaka.
Mesfushori theksoi rëndësinë e vendimit familjar.
“Por pas bisedimeve me Sunderland, gjeta veten ulur me familjen, duke menduar: ‘Çfarë të bëjmë?’ Nuk ka të bëjë vetëm me mua në këtë fazë – ka të bëjë me gruan, fëmijët, vëllain dhe prindërit. Është e rëndësishme të marrim vendimin e duhur si një grup, së bashku”, tha ai.
(Kosova Sot Online)
