Barcelona fiton betejën për supertalentin egjiptian

  • A.P /
  • 23 January 2026 - 10:30
Barcelona fiton betejën për supertalentin egjiptian

Barcelona më në fund mund të marrë frymë lirshëm pasi ka arritur marrëveshje për transferimin e Hamza Abdelkarim, një operacion që kërkoi durim, negociata të kujdesshme dhe mbi të gjitha dëshirën e fortë të vetë lojtarit për të veshur fanellën blaugrana.

Sipas raportimit të Mundo Deportivo, klubi katalanas e mbylli marrëveshjen të enjten, duke i dhënë fund pasigurisë disa-ditore rreth së ardhmes së sulmuesit premtues egjiptian.

Abdelkarim, 18 vjeç, do t’i bashkohet Barcelonës në formë huazimi nga Al-Ahly deri në fund të sezonit, ndërsa marrëveshja përfshin edhe një opsion blerjeje që nuk do të kalojë vlerën prej 3 milionë euro, shifër që mund të rritet deri në 5 milionë euro në varësi të bonuseve të lidhura me paraqitjet.

Në kushtet aktuale financiare të klubit, kjo formulë konsiderohet si e mençur dhe me rrezik të ulët nga drejtuesit e Barcelonës.

Negociatat nuk ishin aspak të lehta, pasi Al-Ahly insistonte në rinovimin e kontratës së lojtarit përpara se ta lejonte largimin, gjë që për një periudhë bllokoi bisedimet. Megjithatë, Barcelona nuk u tërhoq kurrë plotësisht, e bindur se profili i Abdelkarim përputhet perfekt me strategjinë afatgjatë sportive të klubit.

Vendimtar në këtë marrëveshje ishte vetë lojtari. Abdelkarim ishte i vendosur të transferohej në “Camp Nou”, duke e parë Barcelonën si ambientin ideal për zhvillimin e futbollistëve të rinj, ku mosha nuk është pengesë, por mundësi.

Ditët e fundit, të dy klubet u fokusuan në formalizimin e marrëveshjes verbale në kontrata zyrtare, proces që u përmbyll me sukses të enjten.

Tashmë pritet vetëm njoftimi zyrtar, ndërsa sulmuesi egjiptian do të udhëtojë së shpejti drejt Barcelonës për të kryer kontrollin mjekësor dhe për të nisur aventurën e re me blaugranat. 

(Kosova Sot Online)