Liverpool ka hequr dorë nga bisedimet me Tottenhamin

  • A.P /
  • 26 January 2026 - 07:45
Liverpool ka hequr dorë nga bisedimet me Tottenhamin

Liverpool ka hequr dorë nga bisedimet me Tottenhamin lidhur me interesimin për mbrojtësin veteran Andy Robertson.

Klubi londinez bëri lëvizjen e tij në fundjavën e kaluar, teksa trajneri nën presion Thomas Frank kërkonte të shtonte përvojë në skuadër.

Liverpooli e dëgjoi ofertën, duke marrë parasysh kontributin e Robertsonit në klub gjatë tetë viteve e gjysmë të fundit dhe faktin që kontrata e tij skadon në verë.

Megjithatë, sipas “Press Association”, klubi ka vendosur të mos vazhdojë negociatat për kapitenin e Skocisë, i cili mbush 32 vjeç në mars, pasi ka shqyrtuar opsionet e veta. Robertson nuk kishte kërkuar largimin.

Robertson ka nisur vetëm katër ndeshje si titullar në Premierligë këtë sezon, pasi ka humbur vendin ndaj Milos Kerkez, por ka qenë në formacionin fillestar në katër nga shtatë ndeshjet e Ligës së Kampionëve – përfshirë përballje të rëndësishme kundër dy klubeve të Madridit, Realit dhe Atleticos, si dhe Interit.

Zëvendëskapiteni i Liverpoolit hyri nga stoli në fillim të pjesës së dytë në humbjen e së shtunës ndaj Bournemouth.

Më pas, trajneri Arne Slot shpjegoi se Kerkez ishte zëvendësuar sepse ishte në “zonën e kuqe”, pra në rrezik të lartë për dëmtim.

Slot ka humbur tashmë mbrojtësit Conor Bradley dhe Giovanni Leoni për pjesën e mbetur të sezonit për shkak dëmtimesh serioze, ndërsa Joe Gomez – i cili ka pasur probleme të shpeshta fizike – u detyrua të largohej në pjesën e parë kundër Bournemouth pas një përplasjeje me portierin Alisson Becker, që shpresohet të ketë qenë vetëm një goditje në gju.

Qendërmbrojtësi tjetër, Ibrahima Konate, ka munguar në dy ndeshjet e fundit pas ndarjes nga jeta të babait të tij.

Kapiteni Virgil van Dijk deklaroi pas ndeshjes se nuk dëshironte që Robertson të largohej, ndërsa Slot tha se dëshiron t’i mbajë të gjithë lojtarët, pasi skuadra është ende në garë si në Ligën e Kampionëve ashtu edhe në FA Cup.

(Kosova Sot Online)