Muriqi shënon golin e 16-të në La Liga

  • A.P /
  • 16 February 2026 - 07:32
Muriqi shënon golin e 16-të në La Liga

Vedat Muriqi realizoi një gol për Mallorcan të dielën, por kjo nuk mjaftoi që skuadra e tij të shmangte humbjen.

Në javën e 24-t të La Liga, Mallorca u mposht në shtëpi 2-1 nga Real Betis, megjithatë sulmuesi kosovar vendosi një rekord personal.

Në minutën e 66-të ai shënoi bukur me kokë, duke arritur golin e 16-të të sezonit.

Ky është sezoni më produktiv i tij në elitën spanjolle, pasi e ka tejkaluar numrin e golave të realizuar në edicionet e mëparshme.

Deri tani, rekordi i tij në La Liga me Mallorcan ishte 15 gola.

Me këtë realizim, Muriqi arriti në kuotën e 50 golave në La Liga dhe tash është vetëm katër gola larg barazimit të rekordit të klubit që mbahet nga Samuel Eto’o.

Nëse vazhdon me këtë ritëm, ai ka gjasa reale ta thyejë këtë rekord të kahershëm.

Të dielën pati reagime të veçanta për të si nga klubi ashtu edhe nga faqja zyrtare e kampionatit.

(Kosova Sot Online)