Neymari jep sinjale se mund të pensionohet
Neymar ka zbuluar se mund të tërhiqet nga futbolli në fund të këtij viti, ndërsa vazhdon kapitullin e tij të dytë te Santos.
Sulmuesi 34-vjeçar u rikthye në klubin e fëmijërisë në janar 2025, pas një periudhe të mbushur me dëmtime tek Al-Hilal.
Ai ka zgjatur kontratën me Santos deri në fund të këtij viti, por e ardhmja e tij mbetet e paqartë.
Në një intervistë për kanalin brazilian “Caze”, Neymar – golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares së Brazilit me 79 gola – pranoi se nuk ka një plan afatgjatë.
“Nuk e di çfarë do të ndodhë nga tani e tutje, nuk e di as për vitin e ardhshëm. Mund të ndodhë që kur të vijë dhjetori, të dua të tërhiqem. Po jetoj vit pas viti tani. Ky vit është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për Santosin, por edhe për kombëtaren braziliane, pasi është vit Kupe Bote, dhe për mua gjithashtu”, tha ai.
Neymar u bë i njohur fillimisht në Brazil përpara se të transferohej te Barcelona, ku formoi një treshe legjendare me Lionel Messi dhe Luis Suárez.
Me Barcelonën fitoi dy tituj të La Ligës, tre Kupa të Mbretit dhe Ligën e Kampionëve në sezonin 2014-15.
Më pas ai u bë lojtari më i shtrenjtë në histori kur Paris Saint-Germain pagoi rreth 200 milionë paund për ta transferuar.
Në Paris zhvilloi 173 ndeshje, shënoi 118 gola, fitoi pesë tituj të Ligue 1 dhe arriti finalen e Ligës së Kampionëve në sezonin 2019-20.
Megjithatë, vitet e fundit janë shoqëruar nga probleme të shumta fizike. Ai iu nënshtrua një operacioni në gju në dhjetor dhe u rikthye në fushë javën e kaluar, duke hyrë nga stoli në fitoren 6-0 të Santos në kupë kundër Velo Clube.
Me të ardhmen ende të hapur dhe me Kupën e Botës në horizont, vendimi përfundimtar i Neymar mund të vijë vetëm në fund të vitit.
(Kosova Sot Online)
