Allegri rikthehet në radarin e Realit
Real Madriti e ka rikthyer interesimin për Massimiliano Allegrin, të cilit dëshiron t’ia besojë bankinën nga sezoni i ardhshëm.
Lajmin e ka bërë të ditur mediumi italian “Corriere dello Sport”.
Kjo do të ishte përpjekja e tretë e klubit spanjoll për ta bindur trajnerin italian, pas dy tentimeve të mëparshme në vitet 2019 dhe 2021 që përfundimisht nuk u realizuan.
Në të kaluarën, “Los Blancos” ishin shumë afër arritjes së marrëveshjes me Allegrin: në vitin 2019 pas periudhës së suksesshme me Juventusin, dhe më pas në 2021, kur u arrit edhe marrëveshja financiare, por në çastet e fundit trajneri aktual i Milanit zgjodhi për të qëndruar në Itali.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, është i interesuar t’ia besojë bankinën një emri me përvojë pas disa zgjedhjeve jo të suksesshme në drejtimin e ekipit, siç ishin rastet e Xabi Alonsos dhe Álvaro Arbeloas.
Përveç Allegrit, në listë është përmendur edhe Jürgen Klopp si alternativë, por gjermani aktualisht ka role të tjera brenda strukturave të futbollit.
Megjithatë, Allegri ka kontratë me Milanin deri në qershor 2027 dhe, sipas raporteve, ndihet mirë në klubin ku e ka rikthyer ekuilibrin dhe ku e ka filluar një projekt afatgjatë.
Ai e ka shprehur qëndrimin e tij plotësisht në sinkron me klubin, duke nënvizuar se dëshiron ta ndërtojë një periudhë suksesi në Milano para se të mendojë për ndonjë ofertë tjetër.
Nëse Reali do të shfaqë interes serioz në verë do të varet nga bilanci i sezonit në përfundim dhe nga dëshira e klubit spanjoll për ta rikthyer stabilitetin teknik pas një periudhe jo të qëndrueshme në bankinë.
(Kosova Sot Online)
