Trajneri i Brightonit e thumbon Arsenalin
Në mënyrë elegante apo edhe me masa ekstreme, Arsenali po tregohet pothuajse i pagabueshëm në garën për titullin e Premierligës dhe këtë e dëshmoi edhe mbrëmjen e djeshme në fitoren e tensionuar ndaj Brighton & Hove Albion.
Goli i shpejtë i Bukayo Saka, i realizuar pa kaluar ende dhjetë minuta nga fillimi i ndeshjes, rezultoi vendimtar për tre pikët e “Topçinjve”.
Megjithatë, sa i përket dëshirës për të luajtur hapur dhe për të dhuruar spektakël, pati edhe kritika.
Fabian Hurzeler, trajneri i “Seagulls”, reagoi ashpër ndaj praktikave penguese të skuadrës së drejtuar nga Mikel Arteta.
“Mendoj se sonte ka qenë vetëm një skuadër që u përpoq të luante futboll”, deklaroi ai për “BBC”, përcjell “Gazeta Express”.
“Për këtë arsye jam krenar për mënyrën se si e bëmë ne.”
Ndërkohë, diferenca me rivalët e Manchester Cityt është rritur sërish në +7 pikë, dhe Arsenali mund të jetë afruar edhe më shumë me trofeun që mungon tashmë prej 22 vitesh.
Megjithatë, për sa i përket spektaklit në fushë, londinezët lanë për të dëshiruar, duke regjistruar vetëm dy goditje në portë, nga vetë Saka dhe Kai Havertz në minutën e 88-të.
Këtë herë Arteta nuk dëshiron ta lëshojë titullin për asnjë arsye, por kolegu dhe kundërshtari i tij Hurzeler e kritikoi ashpër strategjinë e teknikut spanjoll:
“Nuk do të jem kurrë ai lloj trajneri që përpiqet të fitojë në atë mënyrë. Dua t’i bëj gjërat mirë. Dua që lojtarët e mi të vazhdojnë të përmirësohen dhe të luajnë futboll në fushë”, ishte thumbimi i tij.
“Në fund, sigurisht, çdo skuadër do ta menaxhojë ndeshjen dhe do të humbasë pak kohë, por mendoj se duhet të ketë një limit. Ky limit duhet të vendoset nga Premierliga dhe nga gjyqtarët; për momentin ata bëjnë vetëm atë që duan”, shtoi trajneri i Brightonit, pavarësisht humbjes.
“Nëse do t’i pyesja tani të gjithë në sallë nëse janë argëtuar vërtet duke e parë këtë ndeshje futbolli, jam i sigurt se ndoshta vetëm një do ta ngrinte dorën sepse është tifoz i madh i Arsenalit. Përveç kësaj, nuk ka mundësi tjetër”, përfundoi ai.
(Kosova Sot Online)
