Atletico dominon Tottenhamin dhe afrohet me çerekfinalen
Atlético Madrid ka hedhur një hap të madh drejt çerekfinales së Ligës së Kampionëve, pasi mposhti me rezultat të thellë 5:2 Tottenham Hotspur në ndeshjen e parë të fazës së 1/8 së finales.
Skuadra madrilene e nisi furishëm takimin dhe kaloi në epërsi që në minutën e 6-të me golin e Marcos Llorente për 1:0.
Vetëm tetë minuta më vonë, Antoine Griezmann dyfishoi epërsinë, ndërsa një minutë më pas Julián Álvarez shënoi për 3:0, duke e tronditur plotësisht mbrojtjen e skuadrës angleze.
Dominimi i vendasve vazhdoi dhe në minutën e 22-të edhe Robin Le Normand gjeti rrugën e rrjetës për 4:0. Tottenham arriti të reagojë katër minuta më vonë, kur Pedro Porro realizoi për 4:1, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, Atlético vazhdoi kontrollin e lojës dhe në minutën e 55-të Álvarez realizoi golin e tij të dytë personal për 5:1.
Deri në fund të ndeshjes, mysafirët arritën vetëm ta zbusin disfatën me golin e Dominic Solanke në minutën e 76-të për rezultatin përfundimtar 5:2.
Me këtë fitore të thellë, Atlético Madrid merr një avantazh shumë të madh para ndeshjes së kthimit në Londër, ndërsa Tottenham do të ketë një mision tepër të vështirë për ta përmbysur këtë rezultat.
(Kosova Sot Online)
