Messi i zhgënjyer me anulimin e Finalissimas
Kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi, ka mbetur thellësisht i zhgënjyer nga anulimi i Finalissimas, të cilën e konsideronte një mundësi shumë të rëndësishme.
Lideri i Inter Miamit dhe numri 10 i “Albiceleste” e kishte dëshirën të luante përballjen ndaj Kombëtares së Spanjës si një test të madh dhe të rëndësishëm përpara Kupës së Botës, raporton “ESPN”.
Megjithatë, ai nuk është përfshirë në diskutimet që çuan në anulimin e ndeshjes. Kombëtarja e Argjentinës do të përballej me Spanjën, kampionen e Evropës, në atë që pritej të ishte një duel i madh mes dy kombëtareve fituese të trofeve kontinentalë.
Finalissima ishte planifikuar të zhvillohej më 27 mars në Katar, por situata e pasigurt në rajon dhe mungesa e një marrëveshjeje për një datë apo stadium alternativ bënë që ndeshja të mos luhej.
Për Messin, kjo përballje do të kishte qenë një provë e rëndësishme përpara Botërorit, si dhe një mundësi për ta matur forcën e Argjentinës ndaj një kundërshtari të nivelit më të lartë në futbollin evropian.
(Kosova Sot Online)
