Foda: Mund ta shkruajmë historinë
Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda shprehet optimist para ndeshjes me Sllovakinë.
Trajneri gjerman u paraqit sot në konferencë për shtyp ku foli për duelin e së enjtes, i vlefshëm për gjysmëfinalen e “play-off”-it të Botërorit 2026.
Ai po ashtu foli edhe për rrugëtimin e Dardanëve për të arritur deri këtu.
“Faza e grupeve ka qenë e vështirë, ka qenë ëndërr për ne që ta kalojmë fazën e grupeve. Synim i yni ka qenë vendi i dytë dhe aty përfunduam. Ka qenë ëndërr ta kalojmë fazën e grupeve. Tash jemi në ‘play-off ‘dhe mund ta shkruajmë historinë. I kemi dy ndeshjet e radhës, duhet ta kemi parasysh se Sllovakia e ka mundur Gjermaninë, ka cilësi. I kemi dy ndeshjet e fundit dhe do të bëjmë çmos që Kosovën ta përfaqësojmë denjësisht. Lojtarët janë të motivuar, kemi ekip me një shpirt luftarak, detajet do të vendosin të enjten”, u shpreh Foda.
“E dimë se çka na pret, është një presion i lartë, por duam ta shndërrojmë në energji pozitive. Kemi treguar se në kësi situata dimë ta menaxhojmë emocionin dhe situatën. Është një mundësi e mirë, mundësi që nuk vjen shpesh. E dimë se nëse i fitojmë këto dy ndeshje shkojmë në Botëror. Do të japim gjithçka nga vetja, mund ta shkruajmë historinë”, shtoi trajneri i Kosovës.
“Prej se jam trajner këtu, kjo skuadër është zhvilluar tutje. E kemi këtë ndjenjë dhe eufori momentale. Për ne është me rëndësi që të enjten ekipi të dalë si ekip që nga minuta e parë, qoftë për 90 minuta apo 120 minuta, ekipi duhet të bëjë çmos që të fitojmë”, përfundoi Foda.
(Kosova Sot Online)
