Mbappe: Nuk e imagjinoj Botërorin pa Neymarin
Në një intervistë të dhënë për “Globo Esporte”, Kylian Mbappé e ka shprehur një dëshirë të qartë: ta shohë Neymarin sërish me fanellën e Brazilit në Botërorin 2026.
Të dy, shokë skuadre për vite me radhë te Paris Saint-Germain, nuk do të përballen mes vete në miqësoren mes Francës dhe Brazilit, pasi ylli brazilian nuk është ftuar nga trajneri Carlo Ancelotti.
Pavarësisht mungesës, Mbappé nuk ka dyshime për rikthimin e ish-bashkëlojtarit të tij në Kombëtare.
“Mendoj se Brazili mund të përfaqësohet si nga Vinicius ashtu edhe nga Neymar. Vini duhet ende ta bëjë një hap me kombëtaren, por Neymar është Neymar: një nga më të mëdhenjtë. Nuk e imagjinoj një Botëror pa të.”
Fjalë të forta që nënvizojnë sa shumë talenti i ish-lojtarit të Santos konsiderohet ende qendror në skenën ndërkombëtare, pavarësisht problemeve të shumta fizike që i ka pasur në 30 muajt e fundit.
Sulmuesi i Real Madridit shtoi më pas: “Kam luajtur me të dhe kam mësuar shumë. E di si punon: do të përgatitet në mënyrën më të mirë dhe do të jetë aty. Megjithatë i respektoj zgjedhjet e Ancelottit.”
Një vlerësim i rëndësishëm që e konfirmon lidhjen mes dy kampionëve.
Në fund, Mbappé foli edhe për sfidën kundër Brazilit, duke bërë thirrje për kujdes.
“Nuk mund të jesh kurrë favorit kundër një skuadre me pesë yje në fanellë. Brazili është kombi më i madh i futbollit në histori. Për ne është një test i rëndësishëm për ta treguar vlerën tonë dhe për t’u përgatitur për Botëror.”
(Kosova Sot Online)
