Vedat Muriqi ka shkruar historinë me Mallorcan
Sulmuesi Vedat Muriqi ka shkruar historinë me Mallorcan, duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit.
Me dy golat e shënuar ndaj Rayo Vallecano, ai arriti në kuotën e 55 golave me fanellën e skuadrës spanjolle, duke e kaluar rekordin e deritanishëm që mbahej nga legjenda Samuel Eto’o.
Ky rekord i madh i ish-futbollistit të Barcelonës ka qëndruar për vite me radhë, por tashmë Muriqi ka hyrë fuqishëm në librat e historisë së Mallorcas dhe pritet të mbetet aty për një kohë të gjatë.
Edhe klubi spanjoll e ka konfirmuar këtë arritje, duke theksuar se “Muriqi është golashënuesi më i mirë në historinë e Mallorcas në La Liga”.
Sulmuesi kosovar po ashtu është futur në garë serioze për “Këpucën e Artë” në Spanjë, pasi ka shënuar 21 gola, vetëm dy më pak se Kylian Mbappé i Real Madridit, ndërsa kanë mbetur edhe shtatë xhiro deri në fund të sezonit.
Nëse Mallorca arrin të mbajë epërsinë 2-0 ndaj Rayo Vallecano dhe ta fitojë ndeshjen, atëherë skuadra do të ngjitet në vendin e 15-të me 34 pikë.
(Kosova Sot Online)
