Guardiola: Në Manchester nuk ka kurrë diell

  • A.P /
  • 13 April 2026 - 10:30
Guardiola: Në Manchester nuk ka kurrë diell

Manchester City shpesh e rrit nivelin e lojës në pjesën vendimtare të sezonit dhe kjo nuk është një rastësi.

Për këtë fenomen ka folur trajneri Pep Guardiola, i cili e ka dhënë një shpjegim sa interesant, aq edhe të pazakontë, shkruajnë mediat britanike.

Trajneri katalanas, duke e analizuar rendimentin e skuadrës së tij ndër vite, ka theksuar se përmirësimi në pranverë lidhet edhe me kushtet klimatike në Angli, veçanërisht në Manchester.

“Besoj se kjo ndodh sepse dimri është shumë i vështirë. Është ftohtë, ka shumë ndeshje dhe lodhja është e madhe. Kur vjen pranvera, kushtet përmirësohen dhe skuadra ndihet më mirë”, ka deklaruar Guardiola.

Më pas ai ka shtuar edhe një detaj me tone ironike, por që sipas tij e ka një ndikim real: “Është dielli… nuk po bëj shaka. Në Manchester nuk ka kurrë diell”.

Kjo deklaratë e ka bërë xhiron e mediave dhe rrjeteve sociale, duke u komentuar gjerësisht nga tifozët, të cilët shpesh kanë vënë re se City e arrin kulmin e formës pikërisht në muajt e fundit të sezonit, kur zakonisht vendosen trofetë.

Nuk është hera e parë që skuadra e Guardiolës e mbyll sezonin me ritëm të lartë.

Në shumë raste, “Citizens” kanë qenë dominues në fazën përfundimtare, duke përfituar edhe nga përgatitja fizike dhe thellësia e skuadrës.

Deklarata e trajnerit spanjoll hedh dritë mbi një aspekt shpesh të nënvlerësuar në futboll: ndikimin e kushteve klimatike dhe menaxhimin e energjisë gjatë një sezoni të gjatë dhe intensiv.

(Kosova Sot Online)