Ku humbi Flori Mumajesi?!

  • 16 korrik 2019 - 13:16
Ku humbi Flori Mumajesi?!

Jemi në pikun e verës, koha kur plazhi dhe pushimet zbukurohen edhe më shumë me një hit në shqip që do të na kujtojë këtë periudhën e verës kur të kalojë!

Jo se kemi ankesa për muzikën shqip, pasi artistët shqiptarë kanë sjellë këngë pafund këtë verë me dy-tre hite secili nga Kosova në Shqipëri.

Por një shqetësim të madh e kemi: Ku ka humbur Flori Mumajesi?

Kantautori është “zhdukur” nga rrjetet sociale dhe nuk po duket gjëkundi! Postimi i tij i fundit në Instagram i përket datës 8 prill, për të mos folur për datën e këngës së tij të fundit, 15 dhjetor 2018, kur solli bashkëpunimin e suksesshëm me Getoar Selimin dhe Brunon, “Mori”.

Më pas Flori u shfaq në një nga forumet e një universiteti privat në Tiranë, si i ftuar kryesor për të folur për hapat e tij të parë në muzikë dhe filozofinë e punës së tij që mbështetet në 3 shtylla kryesore: besimi, këmbëngulja dhe dashuria.

Këngëtari i talentuar dhe shumë i dashur për publikun, gjithnjë qëllon në shenjë me hitet e tij verore, por këtë verë, Flori nuk ka publikuar asgjë! Ai nuk është parë të japë ndonjë koncert këtë sezon në trojet shqiptare, siç po bëjnë të gjithë këngëtarët shqiptarë.

Madje dhe zërat për jetën e tij private, romancat apo fjalët që u përhapën në showbiz-in shqiptar, janë shuar prej muajsh tashmë!

Në fillim të vitit, pasi u shpall dhe fituesi i “Këngës Magjike”, këngëtari i njohur ndau me ndjekësit e tij në Instastory një “emocion”, siç e quajti ai, që e mundon prej kohësh, atë për t’u larguar nga muzika:

“Vendimi më i vështirë i jetës sime, të shkëputem nga muzika… Dhe? Më vijnë shumë mesazhe që mi mbushin sytë me lot. Nuk jam dorëzuar ende dhe pse shpeshherë e mendoj vërtet! Ju dua!”, u shpreh ai duke plasur bombën!

Por më pas Flori na qetësoi të gjithëve kur sqaroi vendimin për t’i dhënë apo jo fund karrierës së tij në muzikë. Ai u shpreh se ende nuk është gati që të largohet nga muzika, duke konfirmuar edhe atë që ne ndjejmë, që ende nuk jemi gati që muzikës shqiptare t’i mungojë një talent si Flori Mumajesi.

“E kam shumë të vështirë t’i largohem asaj që i kam dedikuar jetën prej kaq vitesh, që e dua kaq shumë prej kaq vitesh! Kështu që sot me diell edhe shpirtin mendoj që në këngën e ardhshme do mundohem të bëj maksimumin që të vij tek ju t’ju përqafoj, bashkë me atë, me muzikën, siç kam bërë gjithë këto vite”, tha Flori në fund të muajit janar.

Ndoshta ai vërtet po punon për diçka të madhe dhe nëse jo, atëherë le t’i kujtojmë që na ka premtuar një super këngë dhe mezi po e presim!

(Kosova Sot Online)